njoftime

Ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Karl Peace dhe Prof. Dr. Enver Roshi

Më datë 17 prill 2025, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës organizoi ceremoninë solemne të dhënies së titullit të nderit “Doctor Honoris Causa” për dy personalitete të shquara në fushën e mjekësisë dhe shëndetit publik: Prof. Dr. Karl Peace dhe Prof. Dr. Enver Roshi.

Aktiviteti u zhvillua në prani të autoriteteve drejtuese të universitetit, anëtarëve të Senatit Akademik, trupës akademike, studentëve, përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, bashkëpunëtorëve dhe të ftuarve të nderuar.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Rektores dhe Kryetares së Senatit AkademikProf. Dr. Aurela Saliaj, e cila theksoi rëndësinë që ka ky moment për universitetin dhe komunitetin akademik të Vlorës. Ajo shprehu mirënjohjen për pranimin e këtij titulli nga dy personalitete me reputacion të gjerë shkencor ndërkombëtar, të cilët me ekspertizën dhe përkushtimin e tyre pritet të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të Fakultetit të Shëndetit pranë universitetit tonë.

Nderimi i Prof. Dr. Karl Peace

Prof. Dr. Karl Peace, profesor i biostatistikës në Kolegjin Jiann-Ping Hsu të Shëndetit Publik në Universitetin Jugor të Georgias (SHBA), nuk mundi të ishte fizikisht i pranishëm në ceremoni, por përshëndeti të pranishmit me një video-mesazh nga SHBA, duke shprehur falënderimet për këtë nderim të veçantë. Ai është një figurë e njohur ndërkombëtarisht për kontributet e tij në metodologjinë e studimeve klinike, zhvillimin e barnave farmaceutike dhe promovimin e shkencës në shëndetin publik.

Jetën dhe veprimtarinë e tij akademike dhe profesionale e prezantoi Prof. As. Rezarta Lalo, Përgjegjëse e Departamentit të Kujdesit Shëndetësor, e cila evidentoi rolin e rëndësishëm që Prof. Peace ka luajtur në avancimin e kërkimeve shkencore dhe bashkëpunimeve institucionale ndërkombëtare.

Me motivacionin:
“Për kontributin e çmuar në kuadër të ndërkombëtarizimit, rritjen e vizibilitetit dhe marrëdhënieve institucionale të Fakultetit të Shëndetit,” Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali” i akordoi Prof. Dr. Karl Peace titullin Doctor Honoris Causa.

Nderimi i Prof. Dr. Enver Roshi

Prof. Dr. Enver Roshi është një figurë qendrore e mjekësisë dhe shëndetit publik në Shqipëri, me një karrierë të pasur si mjek, akademik, ekspert i shëndetit publik dhe drejtues institucionesh. Ai ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale, në hartimin e politikave shëndetësore dhe në procese të rëndësishme të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë.

Aktiviteti dhe kontributi i tij u prezantua fillimisht nga Prof. As. Enkelejd Mehilli, Dekan i Fakultetit të Shëndetit, dhe më pas nga Prof. As. Vitori Hasani, pedagoge pranë Departamentit të Infermierisë, e cila solli një pasqyrë të angazhimit dhe mbështetjes së vazhdueshme që Prof. Roshi ka dhënë që prej themelimit të këtij fakulteti dhe në përgatitjen e brezave të rinj të profesionistëve të shëndetit.

Gjithashtu, kolegë dhe bashkëpunëtorë të tij ndanë vlerësime dhe kujtime nga bashkëpunimet me Prof. Roshin, duke nënvizuar jo vetëm dimensionin akademik, por edhe human të figurës së tij.

Ceremonia kulmoi me dorëzimin e titullit Doctor Honoris Causa nga Rektorja Prof. Dr. Aurela Saliaj, me motivacionin:
“Për kontributin e çmuar në themelimin e Fakultetit të Shëndetit, programeve të studimit, si dhe në procesin e ndërkombëtarizimit përmes kontakteve me partnerë evropianë e më gjerë.”

Në përmbyllje, Prof. Dr. Enver Roshi mbajti fjalën e tij përshëndetëse, duke shprehur mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shërbimeve në shëndetin publik.