njoftime

5 Shtatori dita e bekuar e Shenjtërimit të Nënë Terezës

5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë.

Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të lartë shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit.

Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni.