Së fundi vjen një vlerësim i ri dhe i merituar për Universitetin “Ismail Qemali” nga WORLD’S UNIVERSITIES WITH REAL IMPACT – WURI. Kjo organizatë ndërkombëtare autoritare në fushën e rankimeve, e ka renditur UV, në vendin Nr. 1, në rang ndërkombëtar, midis 1072 Universiteteve në nivel ndërkombëtar, që aplikuan për t’u rankuar, në fushën e shkëmbimeve të studentëve dhe hapjen institucionale (“Student Mobility and openness”). Në këtë listë, UV u rendit në vendin e parë (ishte rankuar në vendin e 35-të në botë për vitin 2022 dhe në vendin e 42-të në vitin 2021), para shumë Universiteteve ndërkombëtare prestigjoze dhe me një eksperiencë shumëvjeçare në arsimin e lartë si, University of Vienna (vendi 2), University of Bonn (vendi 26), Politecnico di Milano (vendi 35), Hebrew University of Jerusalem (vendi 37), University of Oslo (vendi 45), University College London (vendi 83) etj. (Për më shumë shih: https://www.wuri.world/).
Rankimi është kryer nga 156 Rektorë/President të IAL të ndryshme ndërkombëtare, të cilët vlerësuan aplikimet institucionale në Fushën e “Student Mobility and openness”, bazuar në kriteret e mëposhtme:
1. Gama e programeve të shkëmbimit;
2. Partneritetet dhe bashkëpunimet;
3. Shërbime mbështetëse për programet e lëvizshmërisë;
4. Njohja e kredive për të promovuar transferimin pa probleme;
5. Ndjeshmëria e kulturës dhe ndërkombëtarizimi.
Vitet e fundit UV ka qenë promotor i ndërkombëtarizimit duke rritur ndjeshëm numrin e mobiliteteve hyrëse dhe dalëse si për studentët ashtu dhe për stafin akademik dhe administrativ. Bazuar në më shumë se 110 marrëveshje ndërinstitucionale në kuadër të Programit Erasmus+ (KA107) që UV ka, kanë përfituar më shumë se 286 studentë dalës / hyrës dhe 887 staf dalës/ hyrës. Paralelisht, UV është IAL-ja e parë publike në Shqipëri që u akreditua nga Bashkimi Europian me titullin “European Erasmus Charter for Higher Education AL Vlore 01 (miratuar më 29-06-2023)”, titull i cili rikonfirmon statusin e universiteteve që aplikojnë dhe i lejon ato të marrin pjesë në Programin Erasmus+. Nëpërmjet ECHE, UV ka të drejtën dhe mundësinë të aplikojë, në Europian Universities Initiative, në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe pa ndërmjetësinë e një IAL-ve europiane.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit, UV ka filluar të ofroj dhe programe të dyfishta me Universitete prestigjoze të Italisë si Universiteti i Barit “Aldo Moro”, Universiteti Politeknik i Barit dhe Universiteti i Salentos.
Kjo renditje demostron qartë punën e madhe, të rëndësishme dhe të palodhur të stafit akademik, grupeve mësimore dhe kërkimore, autoriteteve drejtuese të Institucionit, Drejtorië së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë së Projekteve, por sidomos pjesëmarrja e studentëve shqiptar e të huaj për të zhvilluar një mobilitet në një IAL Europiane ose në UV.
Ky sukses i madh jo vetëm për UV por për Institucionet e Arsimit të lartë në Shqipëri, jo vetëm e rrit prestigjin e Universitetit të Vlorës në arenën ndërkombëtare, por na jep motivim dhe na inkurajon të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për të krijuar një ambient universitar cilësor dhe në përputhje me objektivat strategjike institucionale, të krahasueshme dhe në nivel ndërkombëtar.
Për më shumë detaje mund të shikoni në faqen zyrtare të WURI: https://www.wuri.world/