njoftime

VIZITË E REKTORIT TË UV PROF. DR. ROLAND ZISI NË UNIVERSITETIN “ABERTA”, LISBONË, PORTUGALI

Në datën 30 tetor 2023, Prof. Roland Zisi zhvilloi një takim pune në Universitetin “Aberta”, Lisbonë, Portugali me objektiv krijimin e një bashkepunimi të ri ndërkombëtar, në funksion të zgjerimit të hartës së partneriteteve me universitete europiane. Ai u prit nga Profesore Carla Padrel de Oliveira, Rektore e këtij universiteti dhe nga Profesore Glória Bastos, korodinatore institucionale.

Profesore Carla Padrel de Oliveira, dhe Profesore Glória Bastos i prezantuan Rektorit të UV një panoramë të përgjithshme të institucionit, duke e vendosur fokusin tek programet e studimit që ofrojnë për studentët, zhvillimin e procesit mësimor online si dhe tek kryerja edhe e studimeve doktorale dhe mobiliteteve të studentëve dhe personelit në formatin online.

Nga ana e tij Rektori i UV Prof. Dr Roland Zisi shprehu interesimin e tij për eksperiencë e Departamentit të Edukimit në Distancë të këtij universiteti, për përvojën e re të aplikuar së fundi në disa IAL europiane për proces mësimor online dhe më pas u prezantoi të pranishmëve, një panoramë të plotë të profilit akademik dhe organizativ të UV, të rrugës së përshkuar prej tij qysh nga viti 1994, kur çeli për herë të parë auditoret për studentët e deri në ditët e sotme. Rektori i UV, Prof. Roland Zisi, riafirmoi edhe një herë synimet kryesore të institucionit që drejton të cilat lidhen me rolin dhe funksionin e kulturës universitare në jetën  e shoqërisë, me sfidat në fushën e kërkimit teknologjik dhe shkencor, si dhe me krijimin e lidhjeve të përhershme ndërmjet universiteteve mesdhetare e europiane, nëpërmjet shkëmbimit të ndërsjellë të përvojova shkencore.

Të dy rektorët ranë dakord për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale në funksion të interesave dhe aspiratave të studentëve dhe personalit akademik, për të përfituar nga organizimet dhe shërbimet akademike të ofruara nga të dy institucionet respektive.

Në këtë takim si përfaqësues të UV në delegacionin e kryesuar nga rektori, ishin të pranishme edhe Dr. Eva Çipi, Drejtore e Qendrës së Zhvillimit Rajonal si dhe Znj. Eloina Tozaj, Drejtore e Komunikimit dhe Burimeve Njerëzore.