Ditën e premte, datë 07.07. 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, shoqëruar nga Zëvendës Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, Prof. Asoc. Enkelejd Mëhilli, priti në zyrën e tij, Ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Z. Álvaro Renedo Zalba, Rektorin e Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë “UNED”, Spanjë, Dr. Ricardo Mairal Uson dhe Drejtoren e Kabinetit në Universitetin “UNED”, Spanjë, Znj. Karen Vilacoba Ramos.
Kjo vizitë e miqve spanjollë u realizua në kudër të veprimtarive të ndërmarra nga Rektori i UV, për ndërkombëtarizimin e institucionit që drejton por edhe për shkak të interesimit tëRektorit të “UNED”, Dr. Ricardo Mairal Uson, për treguesit e veprimtarisë së UV në fushën e marrëdhënieve dhe rezultateve ndërkombëtare.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, i uroi Ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Z. Álvaro Renedo Zalba, suksese në misionin e tij diplomatik në vendin tonë, duke i shprehur mirënjohje për interesin e treguar ndaj UV. Ai vlerësoi rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit, sidomos në fushën arsimore, ekonomike e tregtare, në turizëm, art dhe kulturë, duke shfrytëzuar potencialet ekzistuese reciproke.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi e vendosi theksin tek vijimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, me universitetet e Spanjës në programet e përbashkëta të studimit, duke pohuar se, është kënaqësi nisja e bashkëpunimit me një tjetër institucion të arsimit të lartë europian, Universitetin Kombëtar të Arsimit në Distancë “UNED”, Spanjë, me interes të përbashkët për zhvillim të mëtejshëm.
Nga ana e tij, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Z. Álvaro Renedo Zalba, falenderoi Rektorin e UV, Prof. Dr. Roland Zisi për mikpritjen në këtë vizitë të parë në UV dhe theksoi se, bashkëpunimi në nivel akademik mes dy vendeve Shqipëri-Spanjë, është tregues i faktit se marrëdhëniet mes dy vendeve përforcohen edhe më shumë.
Rektori i Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë “UNED”, Spanjë, Dr. Ricardo Mairal Uson pohoi se, ky takim është nisja e bashkëpunimit mes dy universiteteve ndërsa theksoi se, për Universitetin “Uned”, Spanjë êshtë kënaqësi të bashkëpunojë me një universitet cilësor si Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë. Dr. Ricardo Mairal Uson e përgëzoi UV për marrjen e çertifikatës së Cilësisë ERASMUS CHARTER nga Komisioni Europian, dokument që e bën UV të parën IAL shqiptare, partnere me të drejta të barabarta me universitetet e e vendeve të BE, në fushë të aplikimeve ne prgramet Erasmus.
Kjo ishte vizita e parë në UV e autoriteteve spanjolle të sipërpërmendura, ndërsa në vijim do të realizohet konkretizimi i marrëveshjeve mjaft të frytshme mes UV dhe Universitetit “UNED”, Spanjë, në kuadër të shkëmbimit të stafit dhe infrastrukturës për bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjelltë me qëllim nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta.