njoftime

UNIVERSITETI “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NDERON ME TITULLIN AKADEMIK “PROFESOR EMERITUS”, PROF. DR. LLUKAN PUKA

Në mjediset e sallës “Rilindja” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, ditën e enjte, datë 29. 06. 2023, u zhvillua Ceremonia e dhënies së Titullit “Profesor Emeritus”, Prof. Dr. Llukan Puka, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në themelimin dhe konsolidimin e Departamentit të Matematikës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë si dhë për mbështetjen e pa kushtëzuar për ofrimin e të tre cikleve të studimit pranë këtij Universiteti” Të pranishëm në ceremoninë e nderimit ishin Anëtarët e Senatit Akademik të UV-së, pedagogë, studentë dhe kolegë ndër vite të Prof. Dr. Llukan Puka.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi falenderoi Senatin Akademik të UV-së i cili në unanimitet të plotë e miratoi propozimin e Departamentit të Matematikës për dhënien e titullit të lartë akademik “Profesor Emeritus” Prof. Dr. Llukan Puka.

 

Prof. Dr. Roland Zisi theksoi faktin se, kjo ceremoni konfirmon edhe një herë traditën dhe filozofinë e UV-së, i cili vlerëson, nderon dhe respekton figura të shquara, brenda dhe jashtë vendit që, me punën dhe përkushtimin e tyre serioz kanë dhënë kontribute të çmuara për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë. Një nga personalitetet që ka spikatur ndër vite përmes kontributit të tij veçanërisht për Departamentin e Matematikës në UV është padiskutim Prof. Dr. Llukan Puka. Ndër breza, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë do t’Ju jetë mirënjohës për kontributin Tuaj, për vlerat dhe energjinë tuaj që ndër vite i keni vendosur në shërbim të UV-së, duke kontribuar në veçanti në fushën e matematikës. Sot, përmes kësaj ceremonie, ne nderojmë individualitetin Puaj, duke konkretizuar faktin se, ju jeni pjesë e pandarë e stafit të UV-së, theksoi Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi.

 

Dekani i Shkencave Teknike dhe Natyrore, Prof. Asoc. Hajdar Kiçaj, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi faktin se, vlerësimi i një personaliteti të nderuar si Prof. Dr. Lluka Puka është nderim për vetë UV-në, për sa shumë kontribute ka Prof. Dr. Llukani në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, si lektor, si udhëheqës i Doktoraturës në Matematikë apo dhe si anëtar në Komisionet e Vlerësimit të titujve shkencor.

 

Shefja e Departamentit të Matematikës në UV, Prof. Asoc. Llambrini Sota, duke u ndalur konkretisht tek puna e vazhdueshme e Prof. Dr. Lluka Puka pohoi se, fusha e studimit Probabilitet-Statistik, identifikohet me emrin e Prof. Dr. Lluka Puka, pikërisht për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në këtë fushë studimi.

 

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Albert Qarri në fjalën e tij përshëndetëse theksoi faktin se, kjo ceremoni nderimi është mëse e merituar si shenjë e mirënjohjes së UV-së për kontributin që Prof. Dr. Llukani ka dhënë për UV-në jo vetëm si profesionist, por dhe si model i njeriut që mbart vlera të jashtëzakonshme njerëzore. Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që hapën dhe konsoliduan Doktoraturën e Matematikës, e padiskutim Prof. Dr. Llukan Puka në këtë arritje për UV-në, ka patur kontribut të veçantë.

 

Dok. i Shkencave, Myftar Ramosaço, njëherazi Përgjegjësi i Statistikës në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore në UV, në referimin e tij, duke shprehur konsideratat më të larta për Prof. Dr. Llukan Puka, u ndal konkretisht tek kontributet e jashtëzakonshme që ai ka dhënë ndër vite, në kërkim shkencor, botuese dhe veprimtari pedagogjike.

 

Dok e Shkencave, Elmira Kushta duke falenderuar UV e në veçanti Rektorin e UV-së për organizimin e ceremonisë së nderimit, pohoi se, Prof. Dr. Llukan Puka ka shumë vlerësime, tituj e dekorime në jetën e tij, por ky titull akademik i akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë është i veçantë, sepse jepet nga Institucioni më i lartë arsimor i qytetit të tij, Vlorës, në shenjë nderimi e respekti ndaj punës dhe për gjithçka që ai mundi të jepte për të mirën e shkollimit dhe për rritjen e standardit në fushën akademike, duke dhënë një ndikim të rëndësishëm tek brezi i ri. Është kënaqësi dhe privilegj të të jepet mundësia të referosh për një njeri të veçantë, në të gjitha dimensionet njerëzore, siç është Prof. Dr. Llukan Puka, për sa shumë kontribute ka në formësimin profesional të sa e sa brezave, theksoi Prof. Elmira Kushta.

 

Në fund të ceremonisë së organizuar Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi i dorëzoi Prof. Dr. Llukan Puka titullin e lartë akademik “Profesor Emeritus”.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse Prof. Dr. Llukan Puka theksoi faktin se, nga të gjithë titujt me të cilën është vlerësuar në jetën e tij, ky titull i dhënë nga Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, është titulli më i veçantë pasi i jepet në qytetin e tij ku u lind dhe u rrit e me të cilin ruan kujtimet më të shtrenjta. Prof. Dr. Llukan Puka falenderoi përzemërsisht Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi për organizimin e kësaj ceremonie, Senatin Akademik të UV-së, kolegët e Fakultetin të Shkencave Teknike dhe Natyrore e në veçanti Departamentin e Matematikës.

“Nuk ka realizim dhe përmbushje më të lartë shpirtërore dhe profesionale se të jesh mes miqve dhe kolegëve të brezave të ndryshëm. Jam i nderuar me vlerësimet tuaja”, përfundoi përshëndetjen e tij Prof. Dr. Llukan PUKA.