njoftime

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi takon përfaqësues të katër universiteteve të Hollandës. Bashkëbisedim i akademikëve hollandezë me autoritete dhe personel akademik të UV

Ditën e premte, datë 23. 06. 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, i shoqëruar nga zëvëndësrektori për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zhvillim Institucional, prof. Enkelejd Mëhilli dhe Drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit Rajonal Dr. Eva Çipi, mirëpriti në zyrën e tij: Prof. Jasper Hondelink, Drejtues i Zyrës Erasmus në Hollandë, Prof. Carine de Wilde, nga Universiteti Leiden, Prof. Mirjam Palsma, Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Hanze, Prof. Gerry Stegeman nga Universiteti Saxion i Shkencave të Aplikuara, dhe Prof. René Theunissen nga Universiteti Erasmus i Roterdamit, përfaqësues nga katër universitete të Hollandës, të cilët kanë treguar dhe shprehur interes për të njohur UV si dhe për të ndërtuar në vijim, fushat dhe termat e bashkëpunimit të ndërsjelltë.

 

Akademikët hollandezë, i shprehën Rektorit të UV, faktin se interesi i tyre për institucionin që ai drejton, lindi nga të dhënat dhe informacionet shumë pozitive, për UV, të marra prej tyre nga strukturat arsimore të BE, lidhur me angazhimin domethënës dhe cilësor të UV, në programin Erasmus +, aplikimeve dhe realizimeve të projekteve zhvillimore dhe kërkimore të financuara nga BE si dhe nga pjesëmarrja e UV në disa rrjete autoritare dhe prestigjioze ndëruniversitare europiane e më gjerë.

 

Në fokus të takimit ishte nisja e bashkëpunimit të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, me universitetet e Hollandës, në programet e përbashkëta të studimit. Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, i falenderoi përfaqësuesit e universiteteve të Hollandës, duke iu shprehur mirënjohjen për interesin e treguar ndaj Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

 

Rektori i UV-së, theksoi gjithashtu se, është kënaqësi për institucionin që drejton konkretizimi në vijimësi i bashkëpunimit ndërmjet strukturave akademike me katër IAL holandeze. Ai pohoi se, organizimi i seminareve, simpoziumeve dhe konferencave, ka rëndësi të veçantë, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit aktiv midis  universiteteve, me qëllim realizimin e veprimtarive me interes të përbashkët, duke theksuar se, nxitja e mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve do të ndikojë padiskutim në përcjelljen e përvojave më të mira të  institucioneve të arsimit të lartë.

 

Përfaqësuesit e universiteteve të Hollandës falenderuan Rektorin e UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi për mikpritjen duke theksuar se, është kënaqësi e veçantë për universitetet që përfaqësojnë, të bashkëpunojnë me një Universitet kaq aktiv si Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, duke garantuar se, kjo ishte vizita e parë në institucion, ndërsa në vijim do të realizohet konkretizimi i marrëveshjeve mjaft të frytshme mes universiteteve në kuadër të shkëmbimit të stafit dhe infrastrukturës për bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjelltë me qëllim nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta.

Më pas, në salllën e Bibliotekës qendrore të UV, Prof. Jasper Hondelink, Drejtues i Zyrës Erasmus në Hollandë, Prof. Carine de Wilde, nga Universiteti Leiden, Prof. Mirjam Palsma, Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Hanze, Prof. Gerry Stegeman nga Universiteti Saxion i Shkencave të Aplikuara, dhe Prof. René Theunissen nga Universiteti Erasmus i Roterdamit, zhvilluan një takim njohës me përgjegjësat e njësive bazë të UV, zëvëndësdekanë dhe personel akademik të UV, ku të dy palët prezantuan idetë dhe interesat e përbashkëta akademike me qëllim materializimin e tyre në marrëveshjet që do të nënshkruhen në vijim.