njoftime

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, mirëpriti në zyrën e tij Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, Z. Tayyar Kagan Atay

Në kuadër të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve Turqi-Shqipëri në 100 vite si dhe të marrëdhënieve të UV-së me Ambasadën Turke, të enjten, datë 13.04.2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, mirëpriti në zyrën e tij Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, Z. Tayyar Kagan Atay i cili shoqërohej në këtë vizitë të parë në UV nga Konsulli i Edukimit, Z. Metin Bulut.

 

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, duke i uruar mirëseardhjen Ambasadorit Atay, prezantoi aktivitetin e institucionit që ai drejton, duke vendosur në dukje bashkëpunimet konkrete të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë me Universitetet Turke ndër vite.

 

Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi theksoi faktin se, Shteti Turk ka financuar ndërtimin e laboratorit të Navigacionit në UV. Aktualisht UV-ja kryeson në vend, me numrin më të lartë të marrëveshjeve me Universitetet Turke.

 

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi (MoU) me 9 Universitete përfshirë këtu Ondokuz Mayis University, Ankara Medipol University, University of Mugla Sitki Koçman, Burdur Mehmet Akif Ersoy University, Sulejman Demirel University, Halic University, Istanbul Kultur University, Istanbul Esenyurt University, Ataturk University.

 

UV ka realizuar 16 marrëveshje Erasmus KA1 me Universitete Turke ku përfshihen: Balikesir University, Kilis Aralik University, University of Munzur, Sulejman Demirel University, Ege University, Adiyaman University, Anadolu University, Isparta University of Applied Sciences, Middle East Technical University, Bilecik Şeyh Edebali University, Idgir University, Ataturk University, Bingol University, Eskisehir Technical University, Ondokuz Mayis University, Mehmet Akif Ersoy University. Nga të gjitha këto marrëveshje është arritur që 9 studentë të UV-së të zhvillojnë studime në Turqi si dhe 5 studentë turq të zhvillojnë studime në UV.

 

Gjithashtu stafi akademik dhe stafi administrativ i UV ka zhvilluar vizita në Universitetet Turke ndërsa në UV kanë ardhur 15 përfaqësues të stafit akademik nga Turqia kanë qënë pjesë e mobiliteve në UV.

 

Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi theksoi faktin se, të gjitha këto tregojnë bashkëpunimin e ngushtë që Shqipëria ka me Turqinë jo vetëm në nivel qeveritar por edhe në nivele më të ulta. Popujt tanë janë miq ndër vite dhe mbështetja e Turqisë për Shqipërinë ka qenë e vazhdueshme sikurse dhe gadishmëria e Shqipërisë për t’iu gjendur pranë Turqisë në situate të caktuara.

 

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Z. Tayyar Kagan Atay, duke falenderuar Rektorin e UV-së për mikpritjen theksoi se, bashkëpunimi i shkëlqyer midis Universiteteve të Turqisë dhe atyre të Shqipërisë është rezultat i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy shteteve.

 

Gjatë takimit ambasadori turk propozoi dhe idenë e bashkëpunimit mes Universitetit të Trakya-s me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, nisur nga fakti se Trakya është universiteti i vetëm në Turqi që në përbërje të tij ka dhe Departamentin e Gjuhës Shqipe.

 

Ambasadori shprehu mbështetjen me staf akademik dhe në infrastrukturë për zhvillimin e programeve të gjuhës turke, në mënyrë që të mundësohet realizimi i mëtejshëm i kërkimeve shkencore në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë

 

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Atay pohoi se është i gatshëm të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimeve me UV-në duke theksuar faktin se shteti Turk vitet e fundit pjesë të politikave shtetërore ka dhe ofrimin e bursave akademike për studentët shqiptarë.

 

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, duke i shprehur konsideratat më të larta Ambasadorit të Turqisë në Shqipëri për vizitën e tij në UV dhe për interesimin e treguar, theksoi gjithashtu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore turke.

 

Pjesë e axhendës së Ambasadorit Z. Tayyar Kagan Atay në UV ishte dhe bashkëbisedimi me pedagogë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë në kuadër të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve Turqi-Shqipëri në 100 vite, si tregues i miqësisë së vazhdueshme mes dy shteteve mike.

 

Ambasadori Z. Tayyar Kagan Atay ishte shumë i hapur në bashkëbisedimin me studentët e UV-së duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta që studentët i drejtuan në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë jo vetëm në sektorin akademik por dhe në sektorë të ndryshëm, me interes bashkëpunimi nga të dyja shtetet.