njoftime

Promovim i librit, “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare”, të Prof. Dr. Bardhosh Gaçe

Në kuadër të 104 vjetorit të ndarjes nga jeta të Atit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlora, ditën e martë, në orën 17.00, në mjediset e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaski” të UV-së, Universiteti “Ismail Qemali”, Qendra Albanologjike, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Ismail Qemali” dhe Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Labëria”, dega Vlorë, organizuan promovimin e librit, “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare”, të Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut.

Ishin të pranishëm në aktivitet Rektori i UV-së, Prof. Dr. Roland Zisi, deputetët Pranvera Resulaj dhe Vullnet Sinaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Ervis Moçka, Drejtori i Urgjencës Kombëtare dhe pedagog në Universitetin Ismail Qemali Dr. Skënder Brataj, Drejtori i Qendrës Kulturore të Bashkisë Vlorë z. Genc Demiri, drejtori i Muzeut Historik z. Skënder Spahiu, ish prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj, studiues të letrave shqipe, shkrimtar, poet dhe studentë të UV-së.

Ceremonia e promovimit të veprës historike të Prof. Dr. Bardhosh Gaçe u moderua nga drejtori i bibliotekës së UV-së, poeti dhe studiuesi Albert Habazaj.

Deputeti Vullnet Sinaj theksoi se, “Pr. Dr Bardhosh Gaçe është një personalitet në fushën etnologjike dhe albanologjike, autor i dhjetëra librave studimorë, monografikë dhe autor tekstesh universitare në Shqipëri dhe Kosovë. Duke qenë se e çmoj dhe e kam mik, me shumë kënaqësi i botova librin me shumë vlera “Ata që shpallën Pavarësinë e Shqipërisë”, një vepër studimore mbi burrat e shtetit, që firmosën aktin madhor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Deputetja Pranvera Resulaj, në fjalën e saj përshëndetëse pohoi se, është gjithmonë kënaqësi e veçantë të shprehësh me shumë respekt disa fjalë mirënjohje për Profesor Bardhoshin, ashtu si une e kam njohur 25 vite më parë. Të gjithë, sidomos ne pedagogët e rinj, e admironim për mënyrën e tij të të rrëfyerit të ngjarjeve për të cilat kishte një kujtesë të habitshme. Po i njëjti edhe sot, veçse me më shumë krijmtari në supe, vlerë për shoqërinë, pohoi deputetja Pranvera Resulaj.

Prof. Asoc. Monika Hasani, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se, kjo vepër historike mbart vlera të veçanta për faktet historike të sjella në rrjedhën kronologjike duke shërbyer si dëshmi e epopesë së krijimit të shtetit shqiptar.

Kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore”Labëria”, Ahmet Demaj, pohoi se vepra të tilla janë një dhuratë e shkëlqyer për vendin, pasi ndihmojnë në njohjen me vërtetësi të historisë së kombit tonë, si një trashëgimni e vyer që u lihet brezave të ardhshëm.

Dr. Skënder Brataj, duke shprehur konsideratat më të larta për punën e Prof. Dr. Bardhosh Gaçes, pohoi se, promovimi i kësaj vepre pikërisht në 104 vjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit vjen si tregues i faktit se figura të tilla historike, për aq shumë sa i kanë dhënë këtij vendi do të mbeten të përjetshëm.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe falenderoi të pranishmit për praninë dhe vlerësimet e tyre të vyera për veprën “Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare” duke falenderuar në veçanti deputetin Vullnet Sinaj, i cili mundësoi botimin e kësaj vepre.

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe theksoi faktin se, për shkrimin dhe realizimin e kësaj vepre i është dashur kohë e gjatë dhe punë voluminoze, ashtu siç veprat historike kërkojnë, deri në gjetjen e çdo fakti historik dhe më pas servirjen e të vërtetave të pamohueshme historike për të gjithë brezat që do të vijnë.

Në fjalën e tij përshëndetëse Rektori i Uv-së, Prof. Dr. Roland Zisi duke e përgëzuar dhe uruar autorin për këtë vepër në të cilën serviren mjaft fakte historike interesante dhe prurje të reja të pa njohura më parë, vlerësoi rolin e Pr. Dr. Bardhosh Gaçes, si një personalitet i spikatur i dijes etnologjike dhe albanologjike, me kontribut të çmuar në përhapjen e kulturës, historisë dhe albanologjisë.

Vepra historike “Ata që Shpallën Pavarësinë kombëtare” e Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, për faktet historike dhe ngjarjet që servir, si një nderim që u bëhet figurave historike të kombit tonë, si shenjues të Pavarësisë, do t’i vijë në ndihmë çdo studiuesi, dashamirësi të historisë dhe çdo lexues tjetër i cili përmes kësaj vepre me vlera të veçanta historike do të ketë mundësi të mësojë më shumë për firmëtarët e 1912-ës.