njoftime

Takim i Rektorit të UV, Prof. Dr. Roland ZISI me përfaqësues të Universitetit “Aldo Moro”, Bari, Itali

Në datën 12. 01. 2023, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, priti në zyrën e tij një delegacion të Univeritetit “Aldo Moro”, Bari, Itali, i përbërë nga Zv. Rektori Danilo Caivano, Dott.ssa Chim. Annamaria Demarinis Loiotile, Menaxhere projektesh dhe Drejtuese e Qendrës së Ekselencës dhe Inovacionit (përgjegjëse pë implementimin e misionit të tretë të Universitetit) si dhe Salvatore Latronico – President i Apulian Information Technology District.

Në këtë takim ishin të pranishëm Zëvëndësrektori për marrëdhëniet me Jashtë, Prof. asoc. Enkeleid Mëhilli, Zëvëndësrektori për anën Akademike, Prof. asoc. Frosina Londo dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Teknike dhe natyrore, Prof. Asoc. Hajdar Kicaj.

Takimi u zhvillua në kuadër të projektit TT4FOOD në të cilin UV është partner. Në fillim të takimit, Rektori i UV Prof. Dr. Roland Zisi, e falenderoi Prof. Caivano-n për mbështetjen e tij dhe të Institucionit që ai përfaqëson për bashkëpunimin e ndërtuar midis dy Institucioneve. Përfaqësuesit e Universitetit “Aldo Moro”, të Barit, e falenderuan Rektorin për mikpritjen si dhe për gjithë mbështetjen e dhënë ndër vite, jo vetëm në kuadër të projektit TT4FOOD por edhe në hartimin dhe realizimin e Programit të përbashkët të Studimit, Master në “Projektim dhe Menaxhim i Sistemeve Turistike dhe Kulturore”.

Projekti TT4FOOD ka si qëllim modernizimin e njësive të transferimit teknologjik të Universiteteve Shqiptare, punësimin e të rinjve në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, sidomos në ato agroushqimore, nëpërmjet krijimit të start up – ve dhe spin off – ve, si dhe krijimin e bashkëpunimeve dhe rrjetëzimit ndërmjet universiteteve në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Bazuar edhe në këto objektiva, gjatë takimit u vendos vazhdimi i mëtejshëm i bashkëpunimit, duke u fokusuar sidomos tek kooperimi i UV me bizneset/kompanitë e rajonit të Pulias me qëllim që studentët e Univeristetit “Ismail Qemali” Vlorë, të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga shërbimet e tyre.

Më konkretisht, u vendos që studentët e UV të kenë mundësi në vitet në vijim të realizojnë periudha të shkurtra trajnimesh dhe intershipe në kompani italiane me kosto financiare të mbuluar prej tyre. Po ashtu u diskutua që studentët e UV të zhvillojnë temat e diplomave të tyre në bashkëpunim me këto kompani duke u fokusuar në problemet reale si dhe të zhvillojnë seminare me qëllim trajnimin e tyre në vazhdimësi.

Pas takimit me përfaqësuesit e Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, zhvilloi edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të këtyre kompanive të cilët vizituan Vlorën dhe diskutuan me studentët për mundësitë që ata ju ofrojnë. Rektori i falenderoj përfaqësuesit e kompanive për vizitën por edhe për kontaktet që morën me studentë të UV, për t’u ofruar atyre mundësi trajnimi si dhe shprehu gadishmërinë e tij për bashkëpunime të mëtejshme. Përfaqësuesit e kompanive e falenderuan Rektorin e UV për mikëpritjen dhe krijimin e një dialogu miqësor, akademik dhe frytdhënës.