Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Dr Roland Zisi, në datën 6 dhjetor 2022, kreu një vizitë pune në Universitetin e Veronës, (Università degli Studi di Verona), Verona, Itali. në kuadër të ndërkombëtarizimit të institucionit, si një prej linjave kryesore të Strategjisë së Zhvillimit të UV. Takimi u koordinua nga Z. Albi Shabani, student ALUMNI i Fakultetit të Ekonomisë së UV dhe më pas i Universitetit të Veronës, aktualisht Ekspert Manaxher i Projektit Phoenix Capital që zhvillohet nga “PHOENIX GROUP”, Verona.
Rektori i UV u prit nga Prof. Felice Gambini, i deleguari i Rektorit të Universitetit të Veronës për ndërkombëtarizimin si dhe nga një grup drejtuesish dhe profesorësh të këtëi universitetit si, Prof. Roberta Facchinetti, drejtuese e Departamentit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Diego Begalli, drejtues i Departamentit të Manaxhim Biznesit, Prof. Giandomenico Orlandi, drejtues i departamentit të Informatikës si dhe nga drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Prof. Angelo Pietrbelli.
Rektori i UV Prof. Dr Roland Zisi zhvilloi me kolegët italianë të pranishëm një bisedë tepër të frytshme dhe produktive. Fillimisht ai u prezantoi miqve veronezë një profil të shkurtër të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, duke u fokusuar në momentet më përfaqësuese të rrugës së përshkuar qysh nga viti 1994 kur u themelua e deri më sot, si dhe në sfidat me të cilat ndeshet ai në kontekstin e zhvillimeve universitare bashkëkohore.
Nga ana e tij, i deleguari i Rektorit të Universitetit të Veronës për ndërkombëtarizimin, Prof. Felice Gambini, pasi shprehu kënaqësinë e takimit e falenderoi Rektorin e UV për informacionin e dhënë për qytetin e Vlorës dhe universitetin e tij dhe në vijim ofroi angazhimin e tij personal për krijimin e një partneriteti të besueshëm dhe të qëndrueshëm midis dy institucioneve. Në vijim Prof. Gambini i përcolli Rektorit të UV përshëndetjet e Rektorit të Universitetit të Veronës, prof. Pier Francesco Nocini duke i siguruar të pranishmit se të dy rektorët, shumë shpejt do të nënshkruajnë Marrëveshjen se Bashkëpunimit mes dy institucioneve duke i hapur rrugën veprimtarive të prbashkëta akademike.
Më pas Rektori Prof. Roland Zisi, delegacioni që e shoqëronte, Prof. Felice Gambini dhe drejtuesit e departamenteve të Universitetit të Veronës, zhvilluan një bisedë të gjatë duke u fokusuar në fushat e bashkëpunimit mes departamenteve homologe. Profesorët e nderuar në këtë takim u shprehën pozitivë dhe të motivuar për një bashkëpunim akademik dy palësh, duke u nisur edhe nga fakti se shumë studentë shqiptarë që kanë përfunduar studimet në programet e studimit që ata zhvillojnë, kanë spikatur për aftësi të larta profesionale dhe akademike. Në këtë kontekst, ata sollën për argument, mes të tjerash, shembullin e ish studentit shqiptar nga Vlora, Z. Albi Shabani, i diplomuar me rezultate të shkëlqyera në universitetin e tyre, në Ekonomi Biznes, (Bachelor) dhe Bankë Financë, (Master).
Rektori i UV, Prof. R. Zisi u shprehu kolegëve italianë falenderimet e tij për vlerësimin që ata u bëjnë studentëve shqiptarë, punës, mundit dhe përkushtimit të tyre. Ai theksoi se ndjente kënaqësi dhe krenari të ligjshme për vlerësimin e bërë për Z. Albi Shabani, tashmë student ALUMNI i Fakultetit të Ekonomisë së UV, (Administrim Biznes), por dhe i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Veronës, i diplomuar atje me rezultate të shkëlqyera, duke dëshmuar kështu modelin e një të riu shqiptar ambicioz që me studim, vullnet dhe përkushtim, bëri të mundur ëndërrën e tij.
Fushat kryesore të bashkëpunimit të dakordësuara në këtë takim:
- Organizim i shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik midis dy institucioneve në kuadër të programit E+ KA171,
- Zhvillim dhe ofrim i programeve të përbashkëta të studimit,
- Zhvillim i programeve të veçanta akademike afatshkurtra me kohëzgjatje deri në 1 vit, Zhvillim i programeve me karakter profesional me kohëzgjatje 1 – 2 vjet,
- Shkëmbim i botimeve dhe literaturave shkencore të reja midis bibliotekave,
- Bashkëpunim në aplikim projektesh me financim të huaj, kryesisht të BE,
- Zhvillim i kërkimeve të përbashkëta shkencore si dhe shkëmbimi i rezultateve të hulumtimit me qëllim kryerjen e konsultimeve shkencore, seminareve, kërkimeve,
- Shkëmbim eksperience në përmirësimin e sistemit të shërbimeve smart ndaj satfit dhe studentëve, etj.