njoftime

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin Polis

Ditën e hënë, datë 19. 12. 2022, Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, mirëpriti në zyrën e tij Rektorin e Universitetit Polis, Prof. Dr. Besnik Aliaj dhe administratorin e këtij Universiteti, Z. Sotir Dhamo.

Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit Polis.

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Roland Zisi, duke i falenderuar përfaqësuesit e Universitetit Polis, shprehu kënaqësinë për konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave akademike të UV-së dhe atyre të Universitetit Polis. Ai pohoi se, organizimi i seminareve, simpoziumeve dhe konferencave, ka rëndësi të veçantë, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit aktiv midis dy universiteteve, me qëllim realizimin e veprimtarive me interes të përbashkët, duke theksuar se, nxitja e mobilitetit të stafit akademik dhe studentëve do të ndikojë padiskutim në përcjelljen e përvojave më të mira të dy institucioneve të arsimit të lartë.

Rektori i Universitet Polis, Prof. Dr. Besnik Aliaj, falenderoi homologun e tij për mikpritjen duke theksuar se, është kënaqësi e veçantë për Universitetin Polis të bashkëpunojë me një Universitet prestigjoz si Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, duke garantuar se, ky do të jetë bashkëpunim shumë i frytshëm për të dyja institucionet e arsimit të lartë.

Në fund të takimit, dy Rektorët nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit Polis.

 

Bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve do të përfshijë:

  • Shkëmbimin e njohurive, stafit dhe infrastrukturës për bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjelltë, sidomos në Arkitektur, Dizajn Urban dhe Planifikim Territori.
  • Shkëmbimin e përvojave dhe kapaciteteve institucionale.
  • Shkëmbimin e materialeve, studimeve, botimeve dhe rezultateve të punës studimore dhe shkencore që realizohet në të dy institucionet.
  • Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta.
  • Krijimin e realizimit të projekteve, programeve dhe financimet e përbashkëta me interes të ndërsjelltë.
  • Shkëmbimin e stafit dhe ekspertëve të dy institucioneve me qëllim zhvillimin e moduleve/leksioneve dhe trajnimeve.
  • Pjesëmarrjen dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore të institucioneve në projekte kërkimore dhe aktivitete të tjera me interes të përbashkët si konferenca dhe seminare.
  • Organizimin e aktiviteteve promovuese si panaire apo ditë karriere si dhe bashkëbisedime me studentët e të dy universiteteve.