U zhvillua më datë 24 nëntor, në mjediset e bibliotekës universitare “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, sesioni informues rreth programeve të edukimit që Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ofron në Shqipëri.
Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, Prof. Asoc. Dr. Enkelejd Mehilli në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se prezantimet vijnë në kuadrin e bashkëpunimit të universitetit me Fondacionin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim dhe Zyrën e Projektit “CleanScore” për t’u ofruar pedagogëve dhe studentëve mundësi dhe ndihmë në aktivitetin akademik me mundësitë për praktika profesionale brenda dhe jashtë vendit, ofrimin e bursave dhe financimin e projekteve akademike.
AADF – ja prezantoi projektin “CleanScore”, i cili ofron korrigjimin e automatizuar të provimeve dhe sjelljen në shqip të teksteve akademike ndërkombëtare, mundësitë për ndjekjen e praktikave profesionale dhe studimeve “Master” në SHBA nëpërmjet projektit “MIP”, angazhimin e profesionistëve të rinj shqiptarë nëpërmjet “LEAD Albania” si këshilltarë pranë institucioneve shtetërore, Programin e Bursave për Akademikët nga Diaspora (READ), si dhe edicionin e katërt të Konkursit të Punimeve Kërkimore.
Menaxheri i Projekteve për Edukimin, z. Sokol Ymeri u shpreh se mundësitë që Fondacioni Shqiptaro – Amerikan në Shqipëri ofron janë një mundësi e mirë dhe e veçantë për faktin që procedura e tyre nuk është aspak e komplikuar dhe e ngarkuar në kërkesa. Po ashtu, krahasuar me numrin e popullsisë shqiptare, numri i bursave dhe i financimeve në vit për projektet e pedagogëve shqiptarë është vërtet i konsiderueshëm dhe një ndihmë e madhe në arsimin e lartë.
Menaxherja e Projekteve të Edukimit pranë Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim, Holta Bimbli, shpjegoi procedurat e aplikimit për projektin “LEAD Albania” dhe impaktin që projekti ka pasur tek aplikantët fitues të mëparshëm.
Më shumë rreth projekteve të prezantuara mund të lexoni në faqen e internetit aadf.org