Këtë të martë, në kuadër të 10 Tetorit, Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në bashkëpunim me Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, zhvilluan në mjediset e sallës “Rilindja” të UV-së, një seancë dëgjimore publike kushtuar trajtimit sa më efikas të problematikave të shëndetit mendor.
Ishin të pranishëm në seancën dëgjimore: deputetë, në funksionin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, përfaqësues të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, përfaqësues të Qendrës Komunitare Vlorë, pedagogë dhe studentë të fakultetit të Shëndetit Publik, psikologë dhe punonjës social të cilët operojnë në institucionet shëndetësore dhe arsimore.
Seanca dëgjimore u moderua nga zëvendëskryetarja e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Klodiana Spahiu.
Spahiu në fjalën e saj përshëndetëse falenderoi universitetin “Ismail Qemali” Vlorë për mikpritjen dhe bashkëpunimin shumë korrektë për realizimin e kësaj seance dëgjimore kushtuar rëndësisë së shëndetit mendor. Spahiu u ndal specifikisht në rëndësinë që ka bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjithë aktorëve për t’i trajtuar tanimë me profesionalizmin e duhur të gjithë personat që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.
Deputeti i PS-së, Ilir Metaj u ndal tek rëndësia që ka qasja e duhur e komunitetit ndaj problematikave me të cilat përballet kushdo që vuan nga probleme të shëndetit mendor, duke pohuar se qëllimi i kësaj dëgjese publike është një tjetër hap për zgjidhjen e këtyre problematikave.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, theksoi faktin se Ministria e Shëndetësisë duke njohur në thelb gamën e problematikave të shëndetit mendor, vazhdimisht ka ndërmarrë reforma për të rritur dhe përmirësuar shërbimet e shëndetit mendor në të gjitha institucionet shëndetësore dhe psiko-sociale.
Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, u ndal specifikisht te reformat e zbatuara në arsim për integrimin që në hershmëri të fëmijëve të cilët reflektojnë probleme të shëndetit mendor, duke rritur vazhdimisht masat në kuadër të strategjisë së gjithëpërfshirjes për arsim të barabartë.
Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional, Enkelejd Mëhillaj, falenderoi deputetët për inisiativën dhe për faktin që kjo dëgjesë publike u zhvillua në mjediset e universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, si një institucion që pjesë të prioriteteve të tij ka trajtimin e çështjeve me rëndësi të veçantë për shoqërinë.
Prof, Alban Ylli në fjalën e tij përshëndetëse theksoi faktin se sistemi i Qendrave Komunitare dhe vizitave ambulatore ka ulur ndjeshëm numrin e të sëmurëve mendor.
Drejtoresha e Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, Olta Ganaj u ndal konkretisht te rëndësia që i kushton institucioni që ajo drejton jo vetëm trajtimit shëndetësor të personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor por edhe integrimit të tyre në shoqëri pas rehabilitimit.
Përgjegjësi i Qendrës Komunitare Vlorë, mjeku psikiatër, Stiliano Lepuri, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit, sensibilizimit si edhe sigurimin e një komuniteti i cili kupton, pranon, por edhe luan rol aktiv në krijimin e një shoqërie që gëzon shëndet mendor. Përgjigjia ndaj këtyre sëmundjeve nuk drejtohet vetëm nga njohuritë mjekësore dhe informacioni, por edhe nga kuptimi shoqëror që u atribuojmë atyre, theksoi Stiliano Lepuri.
Shumica e njerëzve që kanë probleme të shëndetit mendor mund t’i kapërcejnë ato ose të mësojnë të jetojnë me to, veçanërisht nëse ata marrin ndihmë herët.
Stigma e shëndetit mendor është një problem i madh që bën që shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim të kenë turp ta marrin atë
Grupet shoqërore dhe komunitetet duhet të bashkohen për të shpërbërë stigmën e shëndetit mendor.