njoftime

Rektori i UV, Prof. Dr Roland Zisi, nënshkruan “Magna Charta Universitatum 2022”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, mbështet dhe konfirmon Dokumentin e Strategjisë së re, të “MAGNA CHARTA UNIVERSITATUM 2022”, (MCU), rrjetit më të madh Universitar Ndërkombëtar. Rektori i UV, Prof. Dr Roland Zisi, nënshkroi në datën 16. 09. 2022, në Universitetin e Bolonjës, këtë dokument të rëndësishëm që identifikon sfidat bashkëkohore të Universiteteve në botë.

Me ftesë të Presidentit të MCU, Prof. Patrick Deane, Rektori i UV,  Prof. Roland Zisi, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “UNIVERSITIES ENGAGING WITH SOCIETY IN TURBULENT TIMES”, (Anniversary of the Magna Charta Universitatum14 – 16 September) që u zhvillua në Universitetin e Bolonjës, organizuar nga Observatori Magna Charta, Asosacioni “University World News” dhe Universiteti i Bolonjës. Konferenca i zhvilloi punimet në “Aula Absidale Santa Lucia”, Universiteti i Bolonjës. Morën pjesë në këtë aktivitet Rektorë dhe përfaqësues nga 200 Universitete nga Europa, SHBA, UK, Azia, Afrika etj.

Observatori Magna Charta, organizon çdo vit një Konferencë Ndërkombëtare, për të adresuar sfidat aktuale në ruajtjen e Vlerave Themelore të Akademizmit, me qëllim për t’i shërbyer shoqërisë me përgjegjësi dhe produktivitet.  Magna Charta Universitatum, Deklarata dhe Konfirmimi i themelit të Parimeve mbi të cilat duhet të bazohet misioni i Universiteteve, u nënshkrua për herë të parë në vitin 1988, me rastin e 900-vjetorit të Universitetit të Bolonjës, nga 388 Universitete, në prani të shumë Liderëve Politikë dhe përfaqësuesve të shoqërisë.  Deklarata fillestare, rishikohet dhe plotësohet në mënyrë periodike, me qëllim pasqyrimin e ndryshimeve në botë, me të cilat përballen Universitetet. MCU mbetet e vendosur dhe e motivuar, që të mbështesë në çdo kohë, misionin dhe funksionimin e Universiteteve. Mbi 950 drejtues Universitetesh nga e gjithë bota, e kanë nënshkruar MCU, mes tyre edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Shqipëri.

Konferenca e vitit 2022, u hap me fjalën e Patrick Deane, (President of the Magna Charta Observatory Governing Council) i cili, mes të tjerash, theksoi se qëllimi i Strategjisë së Re të MCU, është që t’u mundësojë Universiteteve, që të përgjigjen në mënyrë më efektive ndaj sfidave, me të cilat përballen dhe të forcojnë aftësinë e Akademikëve për të mbështetur vlerat themelore në dobi të studentëve, shoqërisë dhe Komuniteteve të tyre Universitare.

Temat kryesore të cilat u diskutuan në këtë aktivitet, ishin të shumëllojshme, të lidhura dhe të fokusuara me shqetësimin e përbashkët rreth sfidave të reja të jetës universitare, në kontekstin e zhvillimeve bashkëkohore globale.

Konfirmimi i Strategjisë së re të MCU 2022, konsiston në identifikimin e sfidave të tilla si: Cilësia e Edukimit, Liria Akademike, Përgjegjësitë e Akademikëve ndaj shoqërisë, Demokracia Universitare, Kultura e Dialogut me studentët dhe shoqërinë, Realitetet e Reja të Komunikimit Dixhital, Relacionet e Universiteteve me Qeveritë lokale, etj.

Rektorët e pranishëm në këtë Konferencë, pas diskutimeve në seanca të përbashkëta dhe seksione, miratuan njëzëri Deklaratën për Strategjinë e Re të MCU e cila konsiston në vendosmërinë e IAL në botë, për respektimin e tre parimeve bazë: Pavarësia dhe Liria Akademike, Përgjegjësia qytetare e Akademikëve ndaj shoqërisë dhe Forcimi i Demokracisë Universitare.

Në fund të Konferencës, u zhvillua Ceremonia Solemne e nënshkrimit të MCU 2022, nga Rektorët e IAL-ve.

Duke nënshkruar Magna Charta Universitatum 2022, Universitetet, (mes tyre dhe UV), konfirmuan angazhimin e tyre ndaj Deklaratës Origjinale të vitit 1988, për ruajtjen dhe avancimin e Parimeve, Vlerave dhe Përgjegjësive Akademike dhe Universitare, në funksion të  forcimit të rolit të Universiteteve, për kujdesin ndaj Planetit dhe Shoqërisë, promovimin e shëndetit, prosperitetit dhe iluminizmit në mbarë botën.