[:sq]MSc. Albert Habazaj * – Parafjalë Lefter Çipa është ndër etnofolkloristët më të shquar të trashëgimisë kulturore, ndër poetët më interesantë e poet atipik, me botën dhe profilin e tij, sa rebel si stuhia e malit, aq të dhembshuruar si loti i detit. Studiuesi i mirënjohur, akad. Shaban Sinani thekson se poezia e Lefter Çipës të kujton më së pari kangjeljet e Jeronim De Radës, që janë poezi dhe këngë njëherësh. Çipa dhe kënga kanë lidhje të dyanshme, si një binom. Nuk mund të kuptohen dot pa njeri-tjetrin. Me këngën e fuqishme piluriote Lefteri është binjak. Binjak me atë këngë që edhe në Malësi të Gjakovës apo Dibër këndohet aq bukur sa në Labëri e Himarë. Ai është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori. Poezitë tij të këngëzuara e kanë vendin te flamuri me shtizë. “Virgjërimi i vjershërimit zgjon kompozitorin nga gjumi për të hedhur notat në pentagram. Këngëtori dashuron atë që kurrë nuk e kishte menduar se do ta dashuronte: autorin e vjerëshërimit të këngës. Ky trekëndësh solid krijon pirustinë qiellore në art”- ligjëron Lefteri në kuvendet me miqtë atje, në brigjet e Jonit, “përkarshi detit të kaltër” te ballkoni i shtëpisë së tij bujare me flamur kombëtar në Himarë. Lefter Çipa ka çdo darkë miq. Naimin e Çajupin. Ka Dritëroin e poezisë që i dritëron shpirti të kuvendojë me Lefterin e këngës. Të tjerët kanë nevojë ta kenë mik Lefterin … Ai ka botuar shumë libra. Mbi 20 tituj. Ndërkohë, ka shumë e shumë dorëshkrime me vlera të pallogaritshme për folkoristikën, etnologjinë, letërsinë, sociolinguistikën e shkenca të tjera humane. Por … njerëzit janë të ikshëm … Edhe të mëdhenjtë. Vepra u ngelet. Po ku ngelet? Si? Përse? Për çfarë? Ku e ka vlerën? “Ku peshon më shumë guri?!” – shtron pyetjen retorike vetë Lefteri në një nga këngët e tij të hershme e më të bukurat …
Ishte ideja intelektuale dhe këmbëngulja e drejtë e prof. dr. Roland Zisi, njërit nga studiuesit e mirënjohur të letërsisë shqipe, ndërkohë rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, për të bërë pronë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë visaret e Lefter Çipës, “Materialet e rralla”, siç quhen në shkencën e Bibliotekonomisë dorëshkrimet me vlerë dhe kopjet autentike të fonotekës së vjetër të këtij autori të mbarënjohur. Profesori e shtroi në Senat mendimin, ku u diskutua se ato thesare shpirtërore të kulturës jomateriale të popullit shqiptar i vlejnë shumë Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, për studentët e pasionuar, kërkuesit që realizojnë studime të thelluara të fushës, për pedagogët, punonjësit shkencorë e kërkuesit shkencorë. Senati e mirëpriti dhe miratoi këtë propozim të vyer dhe kështu nisi puna për realizimin e kësaj nisme vizionare, të guximshme, qytetare, aq të duhur dhe të dobishme … Tashmë e për gjithmonë, sidomos dorëshkrimet unikale të Çipës janë dhe do të jenë në funksion të përdoruesve/ lexuesve në sallë për t’i shfrytëzuar për interesat e tyre studimore, duke patur në vëmendje edhe veçoritë specifike që ka biblioteka për materiale të tilla siç është parimi i konfidencialitetit dorëshkrimor të autorit.
1. Trashëgimia kulturore e kryepolifonit shqiptar
Në opusin e trashëgimisë kulturore të vjershëtorit kombëtar, bardit të madh të këngës polifonike të Bregut, Lefter Çipa përfshihen dorëshkrimet e autorit dhe fonoteka e tij unikale, që janë vërtet pasuri kombëtare. Shumë visare të shpirtit, mendjes, penës, zemrës, të gjakut të tij, të Grupit të Pilurit, grupeve apo këngëtarëve të tjerë, tekstet e kënduara të të cilëve kanë firmën e tij të pentagramtë, ende s’janë bërë të njohura për botën e kulturës shqiptare. Ato që ende s’dihen nga arkivi dhe fondi i Lefter Çipës në Himarë, janë të barabarta me një muze… Janë gjëra që mbartin befasi dhe pasuri të pazakontë, që plotësojnë antologjinë e argumenteve historikë dhe materialë për këtë zonë, ku ndeshet enigma me provën reale. Etnografia shqiptare, folkloristika dhe më së shumti poezia orale në banesën e Lefter Çipës kanë një muze tjetër kulturor ende të palegalizuar zyrtarisht, që gjykojmë se Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, me administratën e tij dhe Bibliotekën Shkencore të Universitetit do të kenë vullnetin (duke mos menduar vepëm për sot, por edhe për nesër, pasnesër..) për ta marrë edhe atë në pronësi, për ta inventarizuar, regjstruar, klasifikuar, promovuar dhe për ta vënë në funksion të edukimit të studentëve dhe studiuesve të tjerë, jo vetëm të këtij institucioni të lartë arsimor, por edhe të studiuesve të tjerë të qytetit, pse jo dhe të studiuesve të huaj, albanologë të universiteteve të Italisë, Greqisë, të shteteve të tjera të Ballkanit, Europës apo mbarë botës, ku Çipa Plaku ka bërë histori kulturore. Kujtojmë që bota qytetare nuk e lë në harresë trashëgiminë kulturore, përkundrazi tregon nderim të madh për të, saqë vazhdon të studiohet në katedrat më prestigjioze të muzikës popullore në botë. Edhe Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë pati mirësinë se mundësoi që të jetë me fat. Jo çdokush mund ta ketë këtë fat. Ne – falë prokurës që Lefer Çipa i ka lënë trashëgimtarit të tij, dr. Aleksandër A. Çipa (Çipa i Riu).
2. Dorëshkrimet e Lefter Çipës, thesar për Bibliotekën Shkencore
a. Janë pesë vëllime të pabotuara, dorëshkrime të Kolanës “Këngët e Atdheut tim” nga të cilët njeri është botuar, vëllimi i parë.
b. Tekste autoriale të këngëve të interpretuara nga grupet më të njohura polifonike shqiptare nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar dhe deri në ditet tona:
-Tekste këngësh të ansambleve të këngëve qytetare,
– Tekste të këngëtarëve të njohur të muzikës popullore dhe asaj qytetare.
Këto vëllime janë të paisura edhe me një aparat teksti dhe kalendar kronologjik për kohën, interpretuesit, vendin dhe eventin (ngjarjen) ku janë interpretuar për herë të parë këto krijime.
c. Në këtë krijimtari, përfshihen edhe pesë libra të pabotuar me poezi tipologjike autoriale të Lefter Çipës, të cilat gjenden si dorëshkrime në 17 lidhje të mëvetësishme dhe në version origjinal të autorit.
d. Një monografi për jetën, veprimtarinë dhe historinë artistike të Grupit Polifonik të Pilurit me një veprimtari intensive të shtrirë në pesë dekada.
e. Dy monografi për Polifonë të famshëm në trevat e Bregdetit të Himarës, ku paraqiten edhe interpretime autoriale për karakteristika e specifika indicidualiteti në fushën e interpretimit dhe prurjeve të melodive në polifoninë shqiptare.
Në këto vëllime ka vlera studimore për aspekte tipologjike të artit polifonik, poezisë orale si dhe për individualitetet interpretuese të saj.
Janë mbi 10 volume me hulumtime të poezisë orale të grumbulluar individualisht nga autori Çipa, në ture ekspeditash të përbashkëta me Institutin e Kulturës Popullore si dhe individualisht, duke respektuar parimet studimore të grumbullimit dhe regjistrimit të tyre në versione të ndryshme.
f. Pjesë e këtij fondi janë pashmangshmërisht pasuria gjuhësore, idiomatike dhe vlerat etnoteksuale të autorit.
Kemi të bëjmë me një rast unikal “Dorëshkrime, trashëgimi kulturore” të papërsëritshëm më parë, ndoshta dhe në të ardhmen s’mund të ketë gjasa të rastisë një fenomen i tillë, i këtyre përmasave gjithëpërfshirëse, gjithështesore për fusha të diturisë në tërësi, sidomos në folkor, gjuhësi (dialektologji) e letërsi, me vlera të veçanta për albanologët.
3. Dobia e opusit të trashëgimisë kulturore të Lefter Çipës
Për të argumentuar më në hollësi se përse është e dobishme që Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë mori marrë në pronësi Opusin e Trashëgimisë Kulturore të Lefter Çipës, paraqesim një pjesëz nga të dhënat për këtë personalitet të njohur të letrave shqipe dhe për veprat e tij, që shquajnë për bukurinë, origjinalitetin, vlerat e vërteta artistike dhe estetike. Lefter Çipa njihet si princ i lirikës popullor, është personaliteti më i njohur i poezisë popullore prandaj nga studiuesit dhe kritika është quajtura Vjershëtor kombëtar dhe Naim Frashëri i Polifonisë shqiptare. Etnokultura shqiptare në rrjedhat bashkëkohore e ka standardin e gjallë të përsosmërisë që mund të japë shkëlqime tipike të papërsëritshme dhe të patjetërsueshme. Në kulturën shqiptare një rol të madh kanë luajtur edhe mjaft personalitete që kanë sjellë një burim të freskët popullor, përjetimin e thellë shpirtëror të shtresave të gjera popullore për çështjet më madhore dhe kulturën shpirtërore, e cila ka qenë dhe vijon të jetë në themelin e zhvillimit tonë shoqëror. Kohët kanë vërtetuar se kjo shtresë e kulturës popullore, këta personalitete të dijes së thellë dhe zbulues të thelbit shpirtëror të popullit tonë të popullit tonë kanë qenë të rëndësishëm gjatë gjithë historisë sonë kombëtare, jo vetëm popullore, por edhe të dijeve të tjera, sepse kanë shoqëruar me një lloj besnikërie të veçantë zhvillimin social, historik, shpirtëror dhe kulturën e brendshme vazhdimisht, ulje-ngritjet dhe premisat e pasurimit të kësaj kulture. Në këtë aradhë të ndritur të personaliteteve të kulturës shqiptare në përgjithësi është edhe kryemjeshtri Lefter Çipa me shembullin e tij jetësor të pakontestuar në shërbim të kulturës kombëtare. Është provuar që një shufër floriri në këtë thesar të kombit është edhe polifonia shqiptare. Studiuesi i mirënjohur i folkorit dhe i historisë së letërsisë shqiptare, prof. Bardhosh Gaçe, pedagog dhe përgjegjës i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Ballkanistike në Universitetin “Ismail Qemali, ndërkohë nga miqtë më të afër e më të vjetër të Lefter Çipës, është marrë shumë me vjershërimin lefterian, jo vetëm si redaktor dhe autor parathëniesh i librave të tij, por edhe si një nga mentorët e nevojshëm të Kryepolifonit të polifonisë shqiptare. Prof. Gaçe nënvizon: “Kuptohet qartë se sa i shenjtë, sa madhor, sa bashkëpunues është vetë misioni i një njeriu të këngës siç e shpjegon Lefter Çipa, i cili të gjithë jetën e lidhi me këngën polifonike, me poezinë dhe baladën si mundësi të mrekullueshme për të shpalosur shpirtin e tij brilant, ndjenjat dhe motivet e tij atdhetare, lirike dhe historike. Siç shkruan prof. Spiro Shetuni, njëri nga interpretët shkencorë të polifonisë shqiptare, “… një ndihmë të shquar dhe të ndjeshme ka dhënë gjithashtu poeti i shquar i polifonisë shqiptare Lefter Çipa. Ai është autor i tërë repertorit të teksteve dhe varianteve melodike të Pilurit. Kënga polifonike piluriote interpretohet ngahera në mënyrë të përzier, gra e burra së toku. Melodinë e parë të saj zakonisht e këndon një grua, melodinë e dytë-një burrë, sipas rastit”. Çipa është njëri nga bardët e mëdhenj të mbajtjes dhe përcjelljes së stafetës së shenjtë dhe të mrekullueshme të polifonisë shqiptare. As ai dhe as ndonjë poet tjetër nuk mund të linte në harresë nderimin e madh që ajo kishte dhe vazhdon të ketë në katedrat më prestigjioze të muzikës popullore në botë. Lefter Çipa po mbush një gjysmë shekulli që stilit muzikor të Pilurit i dha një novatorizëm, që është vlerësuar nga opinioni ynë shkencor-artistik, si dhe është pëlqyer mjaft nga artdashësit brenda Shqipërirë dhe pothuaj në gjithë vendet e Evropës apo dhe kontinente të tjera të globit, ku ka shkuar për turne apo festivale folkorike ndërkombëtare dhe është kthyer gjithmonë me trofe të arta e të merituara në vendlindje. Është fakt se përmes një procesi të drejt estetik mundi të fitojë vlera të qëndrueshme artistike, qoftë në përmbajtje, qoftë në formë. Kjo është dhe vlerë e vjershëtorit të talentuar Lefter Çipa. Gjithashtu, modeli i tij me Opusin e Trashëgimisë Kulturore Dorëshkrimore na flet qartë se evolucioni i muzikës popullore shqiptare gjatë dhjetëvjeçarëve shfaqet dhe si pasojë e ndikimit që ushtron ndaj saj muzika profesioniste. Me bukurinë dhe origjinalitetin e vet, ai sjell një ndihmesë të rëndësishme në pasurimin e traditës sonë muzikore popullore në përgjithësi.
Mund të pranojmë pa mëdyshjen më të vogël se stili muzikor piluriot prej vitesh ka fituar një rrezatim estetik kombëtar. Kështu ai përjetohet me dëshirë e me endje, jo vetëm në Labëri e Vlorë, por në mbarë Shqipërinë, madje dhe jashtë saj. Ndër stilet muzikore të polifonisë labe, pikërisht ky stil gëzon ndoshta më shumë njohje e popullaritet, simpati e admirim në masën e gjerë artdashëse. Stili muzikor piluriot është stil bashkëkohës në kuptimin e plotë të fjalës, argumentojnë specialistët e fushës. Vetë Lefter Çipa na tregon një pamje si ndërtues i fjalës së bukur artistike të kënduar: “Isha në moshën 35 vjeçare kur më kishte lindur ideja e kërkoja një këngë që ta këndonin të gjithë. Ta këndonin të kënduarit, një kryekëngë sintezë të historisë së hijshme të shekujve të himnizuar. Në vitin 1977, në Vlorë festohej 55-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Vlora kishte të drejtën e kryeqytetit për tri ditë rresht; shtiza dhe flamuri i shenjtë kishin mbledhur rreth vehtes tërë shqiptarët e gjakut të shqiptarizmit”. Na tregon dhe pamjen tjetër si studiues i pasionuar dhe i pakundërshtueshëm dot për çka gjykon e shkruan: “Kisha vjerëshëruar dhe isha studiues i trashëgimisë shpirtërore dhe materialeve etnografike, koreografike, polifonike, instrumentale, dokeve dhe riteve zakonore të fshatit dhe krahinës time bregdetare. Njoha zërin dhe kumtet e riteve të lindjeve, vdekjeve e vetë botës së të gjallëve që ishin të fermanuara në vite dhe shekuj të ekzistencës së tyre komunitare e shpirtërore. Aty ku atësia dhe mëmësia qëndronin zgjuar dhe për ata që flinin në botën e gjumit të përjetëshëm. Ndaj dhe nisa vjershërimin shpirtëror që në moshën 16 vjeçare, si një ëngjëll që akoma s’i kishte provuar krahët e fluturimit njomëzak”. Ndër krijimet e tij të para janë këngët “Një flutur e vogël je” dhe “O ky Bregu i Detit” kënduar në vitin 1958 në Vlorë nga Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana, që u bënë treshja e famshme e Vlorës. Në atë kohë, Lefteri ishte vetëm 16 vjeç dhe banor i qytetit të Vlorës. Në vitin 1961, nga trioja karakteristike e këngës qytetare vlonjate, nën drejtimin e prof. Themistokli Mones, u prezantua dhe fitoi popullaritet kënga e njohur e Çipës “Vlora jonë qytet i bukur”, që u shndërrua në “hit”-e, për këtë grup. Në vitin 1962 lidhet përjetësisht me vendlindjen nëpërmjet këngës historike “Supet me vula ngarkuar”, që është dallëndyshja e parë e Çipës, e cila e çon në Pilurin e të parëve të tij dhe ku, pas 11 vjetësh (1973 me “Bejkën e bardhë”) fiton me guxim qytetar e dinjitet artistiko – estetik fronin e përjetshëm të Perandorit të Polifonisë. Çipa bëhet ëndërrimtar naimjan kur kujton me nostalgji fillimin e krijimtarisë së vet. “Isha 16 vjeç, në vitin 1958, kur, Themistokli Mone, artisti i njohur vlonjat i këngës qytetare, më angazhoi në këtë grup. Ishte një rastësi, por, siç ndodh shpesh, rastësia mund të vulosë të ardhmen e një njeriu”, thotë Çipa. Ai tregon se, kënga e parë e tij, “Një flutur e vogël je/ 16 pranvera ke/ moj trëndafile sa e bukur je”, zuri vend menjëherë në repertorin e Trios së famshme të këngës popullore qytetare vlonjate. Prej asaj kohe, ai punoi mjaft për vite me radhë për këtë grup të njohur në të gjithë vendin.
4. Fonoteka e Çipës – pjesë e vyer e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Ismail Qemali”
Në këtë fond përfshihen edhe kopjet autentike të fondit të fonotekës individuale të ruajtur për më shumë se 70 vjet në banesën dhe studion e etnofolkloristit dhe poetit atipik Çipa [kaseta, CD-sete këngësh, 24 bobina x 4 pista]. Shënojmë se fondi i Opusit të Trashëgimisë Kulturore Dorëshkrimore të Vjershëtorit Kombëtar, bardit të madh të këngës polifonike të Bregut, Lefter Çipa përbën një hapësirë të begatë, gurrë të pashtershme për studiuesit, për pedagogët doktorantë, për studentët e masterit të Departamentit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë etj; sepse është një fushë e pashfrytëzuar deri tani sa dhe si duhet. Kujtojmë se vetëm këngën lirike me ngjyra të ndezuar elegjiake-epike “Naim Shqipëria”, kënduar nga grupi miks i Pilurit në vitin 1983 në Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokstrës, e cila u bë aq e dashur për publikun dhe shumë e vlerësuar nga kritika e studiuesit, në dorëshkrimet e Çipës e gjejmë në 33 variante të ndryshme. Çipa, me botimin e vëllimit të parë të Opusit “Këngët e Atdheut tim” nën titullin “Vjershërimi i këngës këngëtare” shfaq shembullin e një risie që fut ai së pari në shkrimtarinë folkoristike. Në trupin e këngës, lexuesi e studiuesi njihet me aparatin folkorik edhe historikun se si është thurur kënga, kohën, vendin, ekipin realizues, tekstin etj. Ka shembuj, si tek kënga “Tundu, Bejkë e bardhë, tundu”, të cilës autori i kushton tetë faqe, nga ku njihemi me këta elementë të domosdoshëm të fushës (deri më sot të cunguar, pse jo të thatë e të paplotë, që mund të krijonin hapësira keqinterpretative mbi tekstin, kohën, vendin, personat pjesëmarrës apo dhe autorin etj., sepse tradita e folkorit na nxjerr në pah anonimatin). Studiuesi merr informacion shterues për këtë njësi folkorike, ndër të tjera, që kënga “Tundu, Bejkë e bardhë, tundu” është kënduar nga grupi folkorik miks i Pilurit 1973, në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, ku mori vlerësimin e medaljonit të artë të Festivalit dhe u quajt si simfonia dhe lajmëtarja e parë e evolucionit të polifonisë shqiptare. Ju dhurua kurora e artë e vlerësimit të jurisë së Festivalit të Dytë Folkorik të Trashëgimisë.
Kënga kishte marrës: Vasilika Lapa, Vangjel Gjiçali; kthyes Qirjako Bala, Sofo Gerdhuqi; hedhës Leni Mërkuri; prerësa: Stavro Mërkuri, Margarit Kongjoni; fyelltar: Milto Gjiçali, Arqile Lapa, Margarit Kongjoni. Njihet gjithashtu se kjo këngë është përpunuar dhe kënduar nga të gjithë ansamblet e dhe grupet e këngëtarët më në zë të diasporës shqiptare, ku ka fituar të drejtën e një kënge të zemrave tradicionale të Shqipërisë dhe mbahet mend përmendësh nga miqtë e këngës. Duke e marrë në pronësi këtë thesar të Trashëgimisë Kulturore Dorëshkrimore, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, realizoi një risi shumë të dobishme për etnokulturën shqiptare dhe, me autoritetin e Institucionit të Arsimit të Lartë, përçon tek brezat studentorë gjedhe të shëndetshme në lëmë të etnologjisë dhe folkorit, vizionet, mesazhet, vlerat e vërteta burimore, të mirëfillta të urtësisë së bekuar ppullore, përfaqësuar më së miri e si askush tjetër nga Fondi i Opusit të Trashëgimisë Kulturore Dorëshkrimore të Lefter Çipës është i rrallë dhe unikal. Lefter Çipa është një poet shqiptar, ndër më të njohurit e poezisë burimore, vital e vigan deri në rebelizëm, që udhëton, fluturon e lundron në lundrën e këngës, deri në shpërfillje të “itenerarit” të realizuar, sepse shikimin e bekuar e ka të përqëndruar përpara tutje, me synime të qarta e të larta etnofolkorike, poetike dhe antropologjiko-kulturore. Është i biri, djali i madh i autorit, dr. Aleksandër Lefter Çipa, gazetari, poeti, studiuesi, analisti i mbarënjohur, i cili kryen “profesionin e bletarit të kosheres me mjalt etnofolkorik të Lefter Çipës”, jo vetëm profesionalisht, por patjetër dhe gjenetikisht.
Falë përkujdesjes së të birit dhe domosdo të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit), autori Lefter Çipa vjen në kohë si një bard me përmasa homerike, sipas parimeve e ligjeve të pashkruara që përveçojnë folkorin si një lloj i veçantë artistik, po aq sa e përbashkojnë me llojet e tjera të shkencave humane. Ai është unikal në folkorin shqiptar, një burim ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori. “Feja ime është kënga” – thotë poeti i njohur i Bregut. Çipa Plaku është sa improvizues aq dhe vizionar në idetë për vjeljen, ruajtjen, pasurimin dhe transmentimin në breza të traditave më të mira të popullit shqiptar, për trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Për Lefter Çipën, pilurjotin që ka prodhuar me mijëra vargje polifonike, polifonia është një traditë që jep mesazhe me peshë e me vizion, nga vlerat më të rralla që ne kemi në panteonin e kulturës shqiptare.
“Polifonia është si mushka, të qëllon me shqelmë nëse nuk e zotëron” porosit ai aplikantët dhe dashamirësit e këtij thesari të paçmuar popullor. Çipa është artist i fjalës së shkruar dhe të interpretimit të saj, që e ka mbështetur fort krijimtarinë e vet, në thesarin e pashtershëm popullor. Njihet si autori më kreativ i polifonisë gjatë 45 viteve të fundit dhe konsiderohet princi i sotëm i polifonisë shqiptare. Është gjithashtu njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit dhe autor i mbi 1250 këngësh të interpretuara nga grupet e famshme polifonike si ai i Pilurit (udhëheqës artistik i të cilit ka qenë për mbi 40 vjet), grupet polifonike të Himarës, Tërbaçit, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Ansamblit të Ushtrisë si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Lefter Çipa ka shkruar artikuj për autorë të shquar të letërsisë kombëtare, ka qenë bashkorganizatori i trios vlonjate, teksa shumë këngëtarë kanë muzikuar e interpretuar lirikat mbresëlënëse të labit piluriot. Kur themi Pilur nënkuptojmë Lefter Çipën. Ai i dha emër kombëtar dhe ndërkombëtar një fshati. Është pikërisht Çipa (Plaku) ai që ka meritën e padiskutueshme në ndërkombëtarizimin e këngës labe dhe himariote, duke e tejkaluar dhe mësuesin e tij shpirtëror Neço Muko Himaroitin. Në dorëshkrimet e Çipës do të gjejmë atë ujvarë të pastër me meloditë shumëzërëshe, atë kombinim të recitativave shpërthyese me ariozitetin mbresëlënës, epizmin krenar me lirizmin ngazëllyes, zërin melodioz të Katina Belerit me tonet kumbuese të Erimioni Mërkurit, atë Hajde deeee drithëruese të hedhësit/es – si sokëllimë kapedanësh në shtërngatë – atë harmoni tingujsh e tonesh ku shpaloset shpirti bregasve, i mbushur me prushe dashurie dhe hove shqiptarie. Dorëshkrimet me këngë polifonike që thur Çipa janë madem i rrallë i një etnokulture të stërlashtë, pjesë organike e AND-së së labit, dëshmi identitare dhe pasaportë e patjetërsueshme e një kulture orale vitale e cila “u bë shkronjë pa lindur shkronjat”, testament i të parëve tanë, kronikë e një jete me gjithë dramat, dhimbjet, dashuritë, dëshmorët, dufet dhe dertet, të derdhura mrekullisht në tekste të selitura nga vjershëtorët anonimë dhe penëartët e njohur, nga Neço Muka tek Lefter Çipa, Bardi i madh i Bregut. Dorëshkrimet e Këngës labe të Çipës janë magji, mrekulli, bukuri, harmoni, melodi dhe dashuri e pafund për jetën.
5. Lefter Çipa, memoriali i gjallë i polifonisë
E kanë quajtur Princi i dashurisë, Ikona poetike e populli shqiptar. I shkon për shtat ta quajmë Memorial i Gjallë i Polifonisë, si lartësim për vlerat e polifonisë, si muze folkorik në lëvizje i historisë së polifonisë himariote. Të gjithë e njohin Çipën (Plaku). Se kush është artisti i madh dhe qytetari universal i Bregut Lefter Çipa, mjafton të mirëdëgjojmë sentencën e tij humane: “Kënga nuk ka nevojë të quhet shqiptare, italiane, greke. “Kënga e bukur këndohet në 1000 gjuhë”, thotë Çipa teksa të sheh drejt në sy, si për të kuptuar e perceptuar thellësinë e filozofisë së këtyre fjalëve, që di t’i thotë vetëm Lefter Çipa. Lefter Çipa (14.02.1942 -) ka lindur në Pilur (Himarë). Jeton në Himarë. Sa bukur simbolikisht përkon dhe me ditën e të dashuruarve!… Lefter Çipa është bërë fosfor i këngës labe kaluar 45 vitesh. Portetin e tij artistik e jep në mënyrë lakonike dhe qartë akad. Vasil S. Tole: “ipa është shumështresor, ashtu si kënga polifonike e popullit”. Mban urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të parë, të dytë dhe të tretë, nga koha e kaluar (para viteve ’90-të). Është vlerësuar “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në 2012 Lefter Çipa (Pilur, Himarë) dekorohet me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në forcimin dhe zhvillimin e kulturës dhe folklorit shqiptar në zonën e Bregut dhe më gjerë, në sjelljen e elementëve të rinj në poezinë dhe folklorin e Pilurit dhe Himarës, si krijues dhe drejtues i grupit të famshëm polifonik të Pilurit” nga ish- Presidenti i Republikës Bamir Topi. Kujtojmë që ish- Presidenti në vijim i Republikës, Bujar Nishani, më dt. 04/05/2017, nr. dekreti 10260, i ka akorduar Gjeneralit të Polifonisë labe, kryepolifonit shqiptar Lefter Çipa Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për mbajtjen gjallë të vlerave më të mira kulturore, tradicionale të bregdetit të Himarës, si një interpretues me nivel të lartë dhe krijues i suksesshëm poezish e këngësh, që janë kthyer në perla të iso-polifonisë himarjote”. Gjithashtu Lefter Çipa është vlerësuar me titullin “Nderi i Himarës”, por, në fakt, ai është nderi i të gjithë Shqipërisë. Lefer Çipa është padyshim një ndër poetët më të shquar shqiptarë. Mjafton të kujtojmë se Poeti, me dy vargje, gdhend rolin dhe funksionin e këngës polifonike në antropologjinë kulturore të botës shqiptare: “Këngët e atdheut tim/ Janë ilaç e janë shërim”.
Një jetë të tërë po bën Lefter Çipa në shërbim të foklorit dhe etnologjisë shqiptare. Ai është dhe një instrumentist i spikatur: i bie culës dyjare, fyellit, fizarmonikës dhe pianos. Ai është edhe një mësues i mirë, edukator shembullor në fushën e mundësive të shpirtit njerëzor. Vajzën e vetme, Parashqevinë, që këndon aq bukur këngën e mëmës dhe të babës e ka flautiste. Kontributi i tij për etnokulturën ka lënë gjurmë gjatë 45 viteve me këngën emblematike të Pilurit “Tundu bejkë e bardhë, tundu” dhe vjen edhe si një homazh për Neço Mukon, në nëntëdhjetë vjetorin e regjistrimit të këngëve polifonike të Himarës në pllakat e gramafonit në Paris. Çipa (Plaku) është autor tipologjik i shumë librave të botuar me poezi. Konsiderohet “Princi” i polifonisë shqiptare. Njëri prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit. Është një ndër poetët dhe autorët më origjinalë të folklorit shqiptar në zonën e Bregdetit të Himarës dhe krahinën e Labërisë, si dhe deri në rang kombëtar. Një albanolog i huaj e quan Çipën e Bregut të ashpër Homer i fundit. Thuhet që Lefter Çipa është pagani i fundit i folklorit shqiptar. Nuk mendojmë se është ashtu. Vetëm nga familja e tij kujtojmë se të gjithë dinë të këndojnë, ata e kanë të formuar grupin polifonik në çdo festë, gëzim, dasëm a ceremoni tjetër. Është në këmbë e bën jetë aktive të vlertë dinastia Çipa, ku spikat vëllai i tij i vogël Kristo Çipa, poet i talentuar, përgjegjes i grupit të ri “Bejkë e bardhë” të Pilurit, autor i teksteve të kënduara nga grupi, marrës, kthyes dhe iso në grup,organizator i Festivalit të dy netëve magjike, 25-26 Maj 2019 “Netët e Bejkës së Bardhë”, që u organizua aq mirë, më 25-26 Maj 2019 atje sipër në Mbretërinë e polifonisë, në Pilur. Po Aleksandri, (Çipa i Riu), gazetari i shquar, poeti ynë modern që është një talent i pazbuluar në të kënduarit labçe, vënçe, himarioçe!? Sandri ia merr aq bukur këngës, sa që do ta kishin zili dhe grupet me emër ta kishin “dash përçor” këtë poet polifonik … Pra, Lefter Çipa është një Filigran i artë në kulturën tonë popullore. Është një medalje e gjallë e kombit dhe për këto visare që bart është vlerësuar me meritë. Mbi çdo dekoratë, sado të madhe e të rëndë, apo që më shëron shpirtin tim – na thotë Çipa – është respekti dhe vlerësimi që më vjen nga vendlindja. E quan shumë të çmuar vlerësimin me titullin “Nderi i Himarës” dhe atë që i shkon më shumë është dekorata “Naim Frashëri i Artë”.
* Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë[:]