UniVlora culture
“Ndalesa e Maratonomakut -
Narta përmes pikturës”
Kjo veprimtari kishte si qëllim promovimin e bukurive dhe vlerave të Nartës përmes artit pamor, duke sjellë në vëmendje identitetin kulturor dhe trashëgiminë e kësaj zone.
Aktiviteti u përshëndet nga Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Aurela Saliaj, si dhe nga Kryetari i Shoqatës së Nartës, z. Aleksandër Zoga. Në vijim, të pranishmit u njohën më gjerësisht me figurën e Prof. Vaso Pata përmes prezantimit të mbajtur nga z. Albert Abazaj.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe prezantimi i piktorit të njohur z. Edi Kojani, i cili solli një këndvështrim artistik mbi mënyrën se si paraqitet identiteti i Nartës përmes pikturës, bazuar në librin e Prof. Vaso Pata.
Promovimi i librit “Bashkëpunëtori i drejtësisë”
Aktivitet i organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Avokatisë Vlorë dhe Departamentin e Drejtësisë të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të sistemit gjyqësor, pedagogë dhe studentë të Departamentit të Drejtësisë, të cilët patën mundësinë të diskutonin mbi vlerat akademike dhe praktike të këtij botimi të ri.
Takimi u përshëndet nga Zv. Rektorja, Prof. Asoc. Frosina Londo, dhe u drejtua nga një panel i nderuar shkencor e juridik, i përbërë nga Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë të Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia; Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Z. Fjorald Behari; Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Z. Erjon Shqarri; dhe Kryetari i Dhomës Vendore të Avokatisë Vlorë, Z. Durim Bajramaj.
Promovimi i librit “Përplasja e madhe”
Aktiviteti promovues i librit "Përplasja e madhe - Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin", i autorit kosovar Enver Hoxhaj, diplomat dhe ish ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, u zhvillua në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës në bashkëpunim me shtëpinë botuese UETPRESS.
Në libër autori shpalos përvojën e tij akademike dhe diplomatike, duke trajtuar një tematikë sensitive për rajonin dhe Europën, shkrime që argumentojnë luftën që po i bëhet Kosovës dhe Ballkanit nga Rusia. Promovimi i librit u moderua nga paneli i përbërë nga ish deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Valentina Leskaj, z. Henri Çili, botues i UETPRESS, dhe autori Hoxhaj. Të pranishmit i përshëndeti Rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, znj. Aurela Saliaj.
Merrnin pjesë pedagog e studentë të këtij universiteti, studjues, akademik, përfaqësues të shoqatës "Labëria", ish ushtarakë të grupimit të ushtarakëve të Vlorës, anëtarë të shoqatës Kallarati, etj.
Promovimi i librit
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”
Aktivitet kulturor për promovimin e librit më të ri të autorit Preç Zogaj.
Një analizë e veprës letrare u bë nga z. Henri Çili, botues i “UET PRESS”, si dhe nga studiuesi z. Gëzim Bashaj, një njohës shumë i mirë i veprës së autorit Preç Zogaj. Takimi vijoi në një bashkëbisedim midis autorit dhe pjesëmarrësve në sallë, i moderuar nga përgjegjësja e Departamentit të Gjuhë-Letërsisë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Asoc. Monika Hasani.