FSHH – Departamenti i Gjuhëve të Huaja

Mirësevini në Departamentin e Gjuhëve të Huaja! 

Themeluar më 1995, Departamenti i Gjuhëve të Huaja është departamenti më i madh dhe më i vjetër në Fakultetin e Shkencave Humane.  Filloi me një program studimi katërvjeçar me njëzet e një studentë, i cili përgatiste mësues dhe përkthyes të gjuhës angleze. Në 2002 departamenti ofroi një program të dytë studimi katërvjeçar në gjuhën dhe letërsinë italiane. Në 2007 departamenti u bë pjesë e Fakultetit të Edukimit, i cili në 2009 u riemërtua si Fakulteti i Shkencave Humane. Aktualisht Departamenti i Gjuhëve të Huaja ofron pesë programe studimi, dy të ciklit të parë dhe tre të ciklit të dytë:

  1. Bachelor në gjuhë angleze
  2. Bachelor në gjuhë italiane
  3. Master profesional në mësuesi për CLAB në gjuhë angleze
  4. Master profesional në mësuesi për CLAB në gjuhë italiane
  5. Master i shkencave në përkthim-interpretim

Departamenti ofron gjithashtu kurse gjuhe të niveleve të ndryshme dhe kurse gjuhe për qëllime të posaçme kryesisht në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht në programet e studimit të ciklit të parë dhe të dytë.

Në këtë departament japin mësim 24 pedagogë me kohë të plotë (profesorë të asociuar, lektorë, asistent-lektorë). Përveç tyre, në këtë departament angazhohet dhe staf ndërkombëtar, kryesisht për gjuhën angleze dhe italiane. Stafi i këtij departamenti është një staf i përkushtuar dhe me përvojë, i gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të studentëve dhe ambicioz për t’u rritur profesionalisht.

Departamenti e ka orientuar veprimtarinë e tij drejt ndërkombëtarizmit, në themel të të cilit qëndron modernizimi dhe harmonizimi i kurrikulave dhe programeve të studimit me ato të departamenteve simotra në universitetet e huaja, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, bashkëpunimi në projekte kërkimore dhe zhvillimore ndërkombëtare, rritja e vizibilitetit të punës kërkimore-shkencore të këtij departamenti.

Në thelb të punës sonë është besimi se harmonizimi arsimor lehtëson komunikimin ndërkulturor dhe mundëson integrimin evropian.

 

Prof. As. Dr. Armela Panajoti