Rektori


Të dashur studentë,
Të nderuar kolegë
dhe pjesëtarë të stafit të Universitetit “Ismail Qemali”.

Ju uroj nje vit të mbarë akademik në të gjitha fushat e jetës ku ju aspironi. Një urim të veçantë do të doja t’u përcillja studentëve që për herë të parë do të hyjnë në auditorët e universitetit tonë.

Në emër të bashkëpunëtorëve të mi, pedagogë e punonjës të administratës, ju falenderoj që zgjodhët të studioni tek ne. Unë nuk di nga vini, nuk ju njoh me emër, dhe pak mund të marr me mend arsyet që ju sjellin tek ne, por Ju përshëndes me gjithë zemër duke u gëzuar për ju, sepse Jeni në vendin e duhur, në kohën e duhur, dhe me njerëzit e duhur! Vendimi juaj është mëse i drejtë!

Së shpejti, nis sfida më e madhe e jetës e cila do të vazhdojë jo vetëm përgjatë viteve të shkollimit, por edhe kur do të keni  në duart tuaja diplomën  e kurorëzuar pranë universitetin tonë. Ju jeni frymëmarrja e universitetit, prandaj shkollimi juaj me standarte të larta është obligimi ynë kryesor.

E kuptoj emocionin e secilit prej jush, pasigurinë dhe drojën nga e panjohura. Jane të natyrshme. Por nga ana tjetër, e ndjej edhe dëshirën, jetën, kureshtjen dhe vullnetin tek secili prej jush. Ne do t’ju ndihmojmë të ndiheni sa më mirë në mënyrë që edhe ju ta keni mundësinë ta vërtetoni dhe ta zbuloni vetë që keni zgjedhur atë qe ju vlen dhe atë që ju jep siguri për ç’ka doni të jeni sot e në të ardhmen.

Ju do të shkolloheni me cilësi të lartë në njërin nga dy-tri universitetet më të mira shqiptare dhe do të jetoni në një mjedis ku vlerat e Virtus, Scentia, Veritas, do të rindërtojnë çdo ditë të djeshmen tuaj në emër të një ardhmeje të sigurt profesionale e njerëzore.

Ne ju japim mundësinë të shpërbleni punën, talentin dhe familjet tuaja.

Meritojeni këtë mundësi të dashur studentë të shkencave ekonomike, humane, teknike e mjekesore! Jeni në Universitetin e Vlorës, në Universitetin e së Ardhmes!

Ju uroj suksese të gjithë studentëve në këtë vit akademik, suksese stafit pedagogjik në punën e tij studimore dhe shkencore, suksese të gjithëve ju që keni zgjedhur dhe keni besuar në universitetin tonë.