PARATHENIE
Departamenti i Kimisë është një nga Departamentet më të rinj të Fakultetit të Shkencave Teknike të Universitetit “Ismail Qemali” i hapur në vitin akademik 2010-2011, me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 124 datë 17.02.2010. Misioni kryesor i Departamentit është formimi profesional i studentëve të degës së Kimisë dhe specializimi i tyre në fusha të ndryshme (mësimdhënie, mjedis, laboratore, teknologji, teknik laboratori etj.), në mënyrë që ata të jenë të aftë për të përmbushur nevojat që parashtron profesioni i tyre në tregun e punës vendas por edhe të huaj.
Gjithashtu aktorët e interesuar do të gjejnë përgjigje, mirëkuptim, gadishmëri e bashkëpunim për realizimin me sukses të projekteve të ndryshme kërkimore-shkencore të cilat mund ti vijnë në ndihmë edhe komunitetit.
Departamenti i Kimisë ofron për studentët:
- Cilësi në mësimdhënie duke aplikuar forma bashkëkohore të mësimdhënies.
- Përgatitje të lartë profesionale
- Zhvillimin e aktiviteteve kërkimore shkencore.
- Pjesëmarrje dhe përfaqësim dinjitoz në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Një staf plotësisht të kualifikuar i cili prezantohet me:
- Artikuj Shkencorë të botuar
- Konferenca kombëtare e ndërkombëtare
- Pjesmarrje në projekte
Me qëllim arritjen e synimeve arsimore, kërkimore dhe të kontributit ndaj shoqërisë, Departamenti i Kimisë ka identifikuar një grup strategjish, të cilat synojnë ofrimin e programeve akademike, në përputhje me nevojat e zhvillimit perspektiv të vendit. Politikat strategjike të Departamentit tonë janë hartuar në përputhje me Strategjinë kombëtare të Zhvillimit të Arsimit të Lartë, dhe fokusohen në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e kërkimit shkencor, edukimin në vazhdimësi dhe ofrimin e shërbimeve komunitare.
POLITIKAT STRATEGJIKE TË DEPARTAMENTIT
I. Mësimdhënia
1.1 Programet akademike që ofrohen dhe parashikohet të ofrohen
- Diploma Jouniversitare 2 vjeçare, si dhe tituj të tjerë kualifikimi, me orientim të fortë nga tregu (Çertifikata profesionale).
(niveli 5 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve)
- Teknik Laboratori (aplikuar për akreditim)
- Teknolog Kimik
- Programe akademike të ciklit të parë/dytë/tretë të fushës së Kimisë:
(niveli 6 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve)
- Bsc në Kimi (aplikuar për akreditim)
- Bsc në Teknolog Agroushqimor
(niveli 7 i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve)
- MP në “Mësimdhënie në Kimi për Arsimin e Mesëm të Ulët” (aplikuar për akreditim)
- MS në “Mësimdhënien e Kimisë në Arsimin e Mesëm të Lartë” (aplikuar për akreditim)
- MP ne “Analiza kimike dhe kontrolli i cilesisë”
1.2 Logjistika e Departamentit
- Krijimi i një infrastrukture bashkëkohore për mësimdhënie moderne do të kontribuojë në zhvillimin e burimeve njerëzore në shkencat natyrore, nëpërmjet ofrimit të mundësive bashkëkohore të arsimimit në përputhje me nevojat e vendit dhe të botës
- Shtimi i bazës laboratorike përbën një objektiv afatgjatë, realizimi i të cilit do të arrihet vetëm nëpërmjet gjetjes së fondeve të nevojshme, duke shfrytëzuar jo vetëm burimet e brendshme (buxheti i shtetit, të ardhurat e universitetit, etj.), por edhe përpjekjet e vazhdueshme të stafit akademik për realizimin e projekteve të ndryshme shkencore me partnerët tanë të deritanishëm apo të rinj. Deri me sot nga pjesëmarja në projekte ndërkombëtare dhe kombëtare janë siguruar aparatura që janë inventar të qendrës së Kërkimit Shkencor të Universitetit apo edhe të Laboratorit të Kimisë. Në këtë kuadër shërbeu edhe pjesëmarrja në projektin“Vlerësim i situatës mjedisore të gjirit të Vlorës“ në kuadër të fondit të Ekselencës të realizuar gjatë vitit 2012.
- Përdorimi i metodave të reja të mësimdhënies sic janë auditore audiovizive me akses interneti etj. në ndihmë të realizimit me sukses të objektivave.
- Ngritja dhe përforcimi i Laboratorit mjedisor në funksion të Qendrës Kërkimore Skencore të Fakultetit të Shkencave Teknike që do të ndihmojë në kërkimin shkencor të pedagogëve, realizimin e temave të diplomës në studimet e nivelit të dytë MS si dhe për kryerjen e analizave në ndihmë të të tretëve.
- Zgjerimi i rrjetit të institucioneve të arsimit, shëndetit, të kërkimeve mjedisore, kontrollit të ushqimit etj. për zhvillimin e praktikës së studentëve
- Pasurimi i literaturës në departament në ndihmë të studentëve e stafit akademik.
1.3 Metodika e mësimdhënies
- Përmirësimi i metodikës së mësimdhënies: kalimi nga të mësuarit vetëm me ‘prezantim faktesh’ në të mësuarit interaktiv, të bazuar në problem, zhvillimi i mendimit kritik, me synim zhvillimin tek studentët të atyre shprehive dhe kompetencave që do tu duhen atyre për të ardhmen.
- Të diplomuarit duhet të jenë të pregatitur me shprehi të përgjithshme dhe të transferueshme, si ato të analizës, të të menduarit, arsyetimit, paraqitjes dhe komunikimit, krijimtarisë dhe zgjidhjes së problemeve, përtej njohurive specifike të profesionit.
- Realizimi i trajnimeve afatshkurtra dhe afatgjatë të stafit të departamentit, nëpërmjet aplikimeve në programe të ndryshme exchange.
1.4 Raporti student/pedagog
- Të rritet raporti student/personel akademik drejt mesatares së BE (20).
- Të synohet rritja e numrit të studentëve, por ajo duhet të shkojë krahas rritjes së kapacitetit të sistemit për të ofruar një shërbim që respekton standardet.
- Të gjenden mekanizmat e duhur për tërheqjen e studentëve cilësore në degën e Kimisë. Do të vazhdohet të punohet për një politikë sa më të përshtatshme marketingu pranë shkollave të mesme të rajonit të jugut si Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë.
- Të sigurohet përshtatshmëria dhe zhvillimi i vazhdueshëm i burimeve njerëzore esenciale në realizimin e misionit, strategjive dhe objektivave të programeve.
II. KËRKIMI SHKENCOR
- Përpjekjet e stafit akademik janë dhe do të jenë të përqëndruara në rritjen e nivelit shkencor nëpërmjet përfundimit të studimeve të doktoraturës dhe marrjes së titujve e gradave shkencore (për ata pedagogë që kanë përfunduar doktoraturën).
- Do të kërkohet ngritja e një laboratori analizash bashkëkohor, në funksion të realizimit te objektivave të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të stafit akademik.
- Vendosja në funksionim të plotë të laboratorit të Mjedisit pranë Qendrës Kërkimore Shkencore të FSHT, i cili do të jetë në funksion të kërkimin shkencor të pedagogëve studentëve të nivelit të dytë MS dhe të tretë të studimeve si dhe të tretëve
- Profilizimi i kërkimit shkencor sipas fushës së studimeve duke krijuar grupet kërkimore-shkencore të departamentit , për të maksimalizuar impaktin e tij.
- Në përpjekjet e tij për kualifikim shkencor dhe profesional, stafi i Departamentit të Kimisë do të angazhohet dhe mbështetet gjerësisht në iniciativa individuale që kanë të bëjnë në radhë të parë me botime shkencore, pjesëmarrje në projekte individuale ose/dhe institucionale por edhe me anëtarësim në forume të reja shkencore në rang ndërkombëtar.
- Kërkimi shkencor do të vihet në shërbim të rajonit dhe më gjerë duke realizuar projekte kërkimore të përbashkëta me njesitë vendore, universitete brenda dhe jashtë vendit .
- Kërkimi shkencor do të jetë në funksion të përditësimit, rifreskimit e zgjerimit të bazës teorike dhe praktike të kurrikulës së studimeve, dhe ofrimit të shërbimeve komunitare
- Rritja e rendimentit të aplikimeve për projekte të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Krijimi i lidhjeve të qëndrueshme me partnerë ndërkombëtarë.
III. EDUKIMI NË VAZHDIMËSI (LIFE LONG LEARNING)
- Do të organizohen aktivitete periodike me synim përditësimin e vazhdueshëm të personelit me zhvillimet e fundit të teknologjisë në fushën e kimisë.
- Programet e shkëmbimit të pedagogëve me institucionet të huaja do të rrisin cilësinë e këtyre aktiviteteve.
IV. BASHKËPUNIMI INSTITUCIONAL
- Departamenti i Kimisë do të vazhdojë të konsolidojë marrëdhëniet e krijuara me partnerët e vet, si në planin kombëtar edhe atë ndërkombëtar, duke vijuar kontaktet në të gjitha drejtimet.
- Natyrshëm që procesi i zhvillimit lidhet me krijimin e hapësirave të reja, të cilat për Departamentin e Kimisë lidhen me përmbushjen e objektivave të mësipërme. Pjesëmarrja e stafit akademik në konferenca, simpoziume, workshope, etj., apo hartimi i projekteve të përbashkëta institucionale, intensifikimi i kontakteve me shoqatat ndërkombëtare të Kimisë dhe të Mjedisit do të jenë disa nga rrugët e mundshme për krijimin e raporteve të reja institucionale. Natyrshëm që në këto përpjekje, nuk duhet të mungojë një paraqitje dinjitoze e Departamentit të Kimisë, qoftë me artikuj shkencorë, me ide konkrete dhe të qarta në drejtim të zhvillimit, apo me përfaqësim cilësor në projektet e përbashkëta.
- Nxitja e studentëve do të orientohet drejt një pjesëmarrjeje konkrete në projekte dhe shkëmbime ndërinstitucionale, për kryerje të një pjese të procesit mësimor, të diplomimit apo kualifikimit pasuniversitar. Realizimi i këtij objektivi është i lidhur ngushtë me marëveshjen e realizuar në Mars 2009 midis Universitetit të Vlorës dhe atij të Claus’thalit në Gjermani.