Strategjia e Zhvillimit e Departamentit të Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare








PARATHENIE

Departamenit i Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare, u krijua si rrjedhim i riorganizimit të Fakultetit të Shkencave Teknike me shkresë të rektorit Nr. 379 prot, datë 23.03.2016. Departamenti, për herë të parë u krijuar në Tetor 1994, kohë në të cilën filloi aktivitetin e tij Universiteti Teknologjik i Vlorës ‘Ismail Qemali’ me emërtimin “Departamenti i Inxhinierisë Navale”. Gjatë kohës ka pësuar modifikime me riorganizimet që ka pësuar vetë Fakulteti, dikur i Marinës, në FSHT. Aktualisht ky departament në përbërjë të tij ka tre grupe mësimore, respektivisht:

 

  • Grupi mësimor i Inxhinierisë Navale
  • Grupi mësimor i Inxhinierisë Mekanike
  • Grupi mësimor i Inxhinierisë Elektrike

 

Dega “Inxhinieri Navale” ishte dega e parë e D.I.T.D dhe studentët e parë nisën formimin e tyre 5-vjeçar në vitin akademik 1994-1995. Prej vitit 2004-2005, dega pësoi modifikim në dy cikle bachelor dhe master, sipas orientimeve të MASH për aderimin e Shqipërisë në Deklaratën e Bolonjës. Në vitin akademik 2008-2009 u hap dega “Inxhinieri Mekanike”, në të cilën studentët diplomohen për një periudhë 3-vjeçare me Diplomë të Nivelit të Parë (DNP). Po në atë vit u hapën edhe ciklet e dyta të shkollimit, në nivelet Master i Nivelit të Parë (1-vjeçar), sot Master Profesional (MP) ‘Operacione Industriale dhe Navale (OIN), si dhe në nivelin 2-vjeçar, Diplomë e Nivelit të Dytë (DND), sot Master Shkencor (MS), për “Inxhinieri Navale”.

Studentët e parë të DITD u diplomuan si “Inxhinierë Navalë” në vitin akademik 1998-1999, ndërsa inxhinierët e parë mekanikë u diplomuan në vitit akademik 2010-2011. Janë diplomuar ndërkaq edhe studentët në ciklet e dyta Master Profesional dhe Master Shkencor. Në vitin 2013 u hap dhe cikli i dytë në profilin mekanik Master Shkencor në Ndërtim Makinash, me Urdhër MAS Nr.364, datë 04.09.2013.

Dega “Inxhinieri Elektrike” u hap për herë të parë 2010-2011, me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 124 datë 17.02.2010. Edhe pse një degë e re, interesi për këtë degë nuk ka munguar. Sot numërohen rreth 100 studentë të diplomuar në Bachelor në “Inxhinieri Elektrike”. Po bëhen përpjekje të vazhdueshme për hapjen e studimeve të nivelit të dytë Master Profesional në “Inxhinieri Elektrike.

PROGRAMET E STUDIMIT NË D.I.T.D.

Aktualisht D.I.T.D ofron këto programe:

 

  • Bsc në Inxhinieri Navale
  • Bsc në Inxhinieri Mekanike
  • Bsc në Inxhinieri Elektrike
  • Msc në Inxhinieri Navale
  • Msc në Ndërtim Makinash
  • MP në Operacione Industriale dhe Navale.

 

Numri i stafit aktualisht në D.I.T.D është 11 pedagogë efektivë, 1sekretare dhe 1 laborante.

MISIONI I DEPARTAMENTIT INXHINIERIVE DHE TEKNOLOGJISË DETARE (D.I.T.D)

Misioni i Departamentit Inxhinierive dhe Teknologjisë Detare (D.I.T.D) është të përgatisë studentë të aftë në fushën e Inxhinierisë Mekanike, Navale dhe Elektrike për tregun e punës në rajonin e jugut të Shqipërisë dhe më gjerë.

Të specializojë në fusha specifike të operacioneve të detarisë dhe në atë të industrisë inxhiniere për të qenë të aftë në menaxhimin dhe drejtimin në institucione prodhuese dhe shërbimi.

Të jetë institucioni qendror në Shqipëri për diplomim universitar në nivelet bachelor e master dhe trajnim të inxhinierëve mekanikë, elektrik dhe navalë, ku aktorët e interesuar do të gjejnë përgjigje dhe gatishmëri bashkëpunuese në projekte teknike, profesionale e kërkimore-shkencore.

QËLLIMET DHE OBJEKTIVAT E D.I.T.D

Mësimdhënia

  1. Përpunimi i planeve mësimore (kurrikulave) sipas kërkesave të Deklaratës së Bolonjës;
  2. Orientimi i programeve mësimore drejt Institucioneve homologe perëndimore;
  3. Kualifikimi i stafit akademik nëpërmjet specializimeve MS dhe MP dhe marrjes së titujve dhe gradave shkencore;
  4. Përmirësimi i materialeve didaktike në shërbim të mësimdhënies;
  5. Ngritja e bazës laboratorike në nivelet bashkëkohore të mësimdhënies;
  6. Përdorimi në vazhdimësi i metodave të reja të mësimdhënies
  7. Tërheqja e studentëve sa më cilësorë në degët e D.I.T.D;
  8. Përfshirja e mendimit të studentëve për arritjen e objektivave të mësipërm;
  9. Konkurueshmëria e denjë në treg me cilësinë e diplomës;
  10. Akreditimi i degëve të D.I.T.D;

Kërkimi shkencor

  1. Angazhimi në projektet kërkimore të iniciuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS);
  2. Integrimi në projekte kërkimore–shkencore me partnerë vendas dhe të huaj;
  3. Krijimi i një baze eksperimentale për kërkimet shkencore;
  4. Përpjekje individuale me partnerë vendas dhe të huaj;

Bashkëpunimi institucional

  1. Konsolidimi i marrëdhënieve të deritanishme institucionale;
  2. Krijimi i raporteve të reja institucionale;
  3. Inkurajimi i të gjitha iniciativave akademike individuale;
  4. Nxitja e pjesëmarrjes studentore në aktivitetet ndërinstitucionale;

STRATEGJITË AFATSHKURTRA, AFATMESME DHE AFATGJATA PËR ARRITJEN E OBJEKTIVAVE

Mësimdhënia

  1. Është ngritur një grup pune për çdo degë për hartimin e planeve të reja mësimore sipas orientimeve të herëpashershme të Ministrisë së Arsimit dhe LAL. Këto grupe pune kanë paraqitur për miratim në strukturat respektive (Këshilli i Fakultetit, Senati i Universitetit të Vlorës) planet e reja mësimore, pas miratimit të të cilave, qysh prej vitit akademik 2005-2006, grupet e punës ndjekin çdo detaj me tendencën e përmirësimit të vazhdueshëm të tyre.
  2. Me hyrjen në fuqi të planeve të reja mësimore, i gjithë stafi akademik është në përpjekje intensive për përpunimin e programeve mësimore me qëllim që ato të afrohen sa më shumë të jetë e mundur me programet koresponduese të institucioneve homologë perëndimorë dhe atyre të ngjashme brenda vendit. Si model është përdorur kryesisht ai italian dhe më gjerë.
  3. Përpjekjet e stafit akademik kanë qenë dhe do të jenë të përqendruara në rritjen e nivelit shkencor nëpërmjet përfundimit të studimeve për marrjen e titujve e gradave shkencore (për ata pedagogë që kanë përfunduar doktoraturën).
  4. Për sa i takon përmirësimit të materialeve që burojnë nga kontributi direkt i stafit akademik (tekste mësimore, dispenca, etj.), strategjia është e lidhur drejtpërdrejt me pikën 1.C, si më sipër. Çdo material tjetër didaktik do t’i nënshtrohet procedurës normale të ndjekur deri tani, dhe konkretisht, presionit të duhur të ushtruar nga organet drejtuese të Fakultetit të Shkencave Teknike për përfitimin e fondeve të lidhura me blerjen e tyre.
  5. Ngritja e bazës laboratorike përbën një objektiv afatgjatë, realizimi i të cilit do të arrihet vetëm nëpërmjet gjetjes së fondeve të nevojshme, duke shfrytëzuar jo vetëm burimet e brendshme (buxheti i shtetit, të ardhurat e universitetit, etj.), por edhe përpjekjet e vazhdueshme të stafit akademik për realizimin e projekteve të ndryshme shkencore me partnerët tanë të deritanishëm apo të rinj.
  6. Përdorimi i metodave të reja të mësimdhënies do të jetë një kontribut që rrjedh në mënyrë logjike nga realizimi me sukses i objektivave 1.C, 1.D dhe 1.E.
  7. Ka qenë, është dhe do të jetë një shqetësim legjitim i stafit akademik tërheqja e studentëve cilësorë në D.I.T.D. Do të vazhdohet të punohet për një politikë sa më të përshtatshme marketingu pranë shkollave të mesme të qyteteve që përbëjnë edhe bazën e interesave të lidhura me profesionet detare (Vlorë, Durrës, Sarandë, Lezhë), si dhe në qytetet e tjera për inxhinierët mekanikë. Është e kuptueshme që realizimi sa më parë i objektivave të mësipërm, përbën një kusht të nevojshëm për mbështetjen e kësaj politike.
  8. Nëpërmjet jo vetëm anëtarëve përfaqësues të studentëve në Këshillin e FSHT, qeverinë studentore apo Senatin e UV, por edhe duke tërhequr në vazhdimësi mendimin studentor për një kontribut konkret të tyre në proceset universitare, sidomos me anë të anketave, pyetësorëve, etj., apo përfshirjes së tyre në projekte konkrete të lidhura gjithnjë me rritjen e rolit studentor në vendimmarrje.

Kërkim shkencor

  1. Sikundër deri më tani, dhe që prej momentit kur MAS ka parashikuar fonde të posaçme për kërkimin shkencor, stafi akademik i D.I.M.N ka qenë, është dhe do të angazhohet me projekte konkrete në fushën e industrisë mekanike dhe navale.
  2. Duke qenë një nga hapësirat e mëdha që lejojnë thithjen e fondeve të konsiderueshme të programuara për arsimin e lartë nga institucionet kombëtare apo ndërkombëtare, duhet thënë se përpjekjet e stafit akademik të D.I.M.N nuk kanë munguar. Shembujt me hartim projektesh kanë qenë konkretë, si: INTEREG, DAAD, MAE, TEMPUS, etj., por jo gjithnjë projektet tona kanë rezultuar fituese të fondeve të mundshme, edhe pse të kualifikuara nga ana akademike.
  3. Realiteti shqiptar i universiteteve lë shumë për të dëshiruar në lidhje me bazën e duhur eksperimentale për kërkime shkencore. Këtë gjë, stafi akademik e ka vuajtur sidomos në përpjekjet për përgatitjen e temave shkencore në UV, ku rrallëherë është konkretizuar puna kërkimore-shkencore. Krijimi i një baze eksperimentale përbën megjithatë një objektiv madhor, afatgjatë dhe shumë të kushtueshëm. Gjithësesi, do të këmbëngulet për arritjen e këtij objektivi, qoftë edhe nëpërmjet futjes së tij në rrugën e duhur, që kalon nga realizimi i objektivave 2A e 2B.
  4. Aktualisht si Departament ne kemi dy projekte:
  5. AMICI project – Albanian Maritime International Competitiveness Initiative “AMICI”, in the frameëork of HERD” Higher Education Research and Development, programe;2013-2015.
  6. TEMPUS, 2013-2016, No. 544257-TEMPUS-1-2013-1-ME-TEMPUS-JPCR, University of Vlora – University of Montenegro” Modernizing and harmonizing maritime education in Montenegro and Albania” – MarED; http://ww.mared.ac.me/

Bashkëpunimi institucional

  1. Qoftë në planin kombëtar apo ndërkombëtar, D.I.T.D do të vazhdojë të konsolidojë marrëdhëniet e krijuara me partnerët e vet, duke vijuar kontaktet në të gjitha drejtimet.
  2. Natyrshëm që procesi i zhvillimit lidhet dialektikisht me krijimin e hapësirave të reja, të cilat për D.I.T.D. lidhen me përmbushjen e objektivave të mësipërme. Pjesëmarrja e stafit akademik në konferenca, simpoziume, workshop, etj., apo hartimi i projekteve të përbashkëta institucionale, intensifikimi i kontakteve me shoqatat ndërkombëtare të detarisë do të jenë disa nga rrugët e mundshme për krijimin e raporteve të reja institucionale. Natyrshëm që në këto përpjekje, nuk duhet të mungojë një paraqitje dinjitoze e D.I.T.D, qoftë me artikuj shkencorë, me ide konkrete dhe të qarta në drejtim të zhvillimit, apo me përfaqësim cilësor në projektet e përbashkëta.
  3. Në përpjekjet e tij për kualifikim shkencor dhe profesional, stafi i D.I.T.D. do të angazhohet dhe mbështetet gjerësisht në iniciativa individuale që kanë të bëjnë në radhë të parë me botime shkencore, pjesëmarrje në projekte individuale ose/dhe institucionale por edhe me anëtarësim në forume të reja të detarisë në rang ndërkombëtar.
  4. Nxitja e studentëve do të orientohet drejt një pjesëmarrjeje konkrete në projekte dhe shkëmbime ndërinstitucionale, për kryerje të një pjese të procesit mësimor, të diplomimit apo kualifikimit pasuniversitar. Realizimi i këtij objektivi është i lidhur ngushtë me arritjen e objektivit 2A, 2B, 3A, etj.

 

SI I NDJEK D.I.T.D NDRYSHIMET NË INSTITUCIONET HOMOLOGE NË NIVEL KOMBËTAR DHE NDËRKOMBËTAR

Sidomos prej majit 2004, që shënon anëtarësimin e D.I.T.D pranë IMAM (International Maritime Association of  Mediterranean), kanë nisur konkretisht përpjekjet e stafit për përmirësimin e programeve mësimore në pjesën dërrmuese të lëndëve të specialiteteve “Inxhinieri Navale”. Kjo i paraprin në kohë vitit akademik 2005-2006, kur për herë të parë zbatohet me direktivë ministrore Deklarata e Bolonjës në planet mësimore, të cilat u përgatitën nga grupet e punës gjatë vitit akademik 2004-2005.

Për hartimin e planit mësimor të degës Inxhinieri Navale sipas deklaratës së Bolonjës, në prill 2005 u krijua një grup i posaçëm pune, i cili vëzhgoi me vëmendje ndryshimet e deriatëhershme në institucionet homologe, dhe konkretisht në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës për lëndët e formimit të përgjithshëm inxhinierik dhe Fakultetin e Arkitekturës Navale në NTUA, Athinë, si dhe tre universitetet italiane në Napoli, Genova e Trieste, ku aplikohet dega inxhinieri navale.

Pasurimi i planeve mësimore është realizuar edhe për programet e studimit të inxhinierisë mekanike dhe elektrike, të cilat po harmonizohen me programet e degëve respektive të Universitetit Politeknik Tiranë.

Ndryshimet në planet mësimore të atyre universiteteve vijojnë të pasurohen nga eksperienca e çdo anëtari të stafit akademik gjatë punimeve shkencore apo bashkëpunimeve të veçanta.

SI NDRYSHON D.I.T.D NË DREJTIM TË PËRMIRËSIMIT TË TIJ, NË PËRPUTHJE ME KËRKESAT E REJA DHE SI I PËRGJIGJET RRETHANAVE APO KËRKESAVE TË JASHTME

Çka pasqyrohet më sipër tregon rrjedhën e ndryshimit përmirësues të D.I.T.D, e lidhur kjo sidomos me ngritjen në nivelet që kërkon koha të planeve dhe programeve mësimore. Njëherësh, stafi akademik i D.I.T.D ka përmirësuar ndjeshëm ritmet e kualifikimit individual, konkretizuar kjo me marrjen e gradës Prof.As prej katër anëtarëve të stafit të vet, Docent prej 1 anëtari, dhe në doktorim e sipër prej 3 anëtarëve të tjerë.

Edhe në drejtim të kërkimit shkencor janë hedhur hapa pozitivë. Konkretisht, D.I.T.D ka organizuar konferenca dhe simpoziume shkencore, vetëm ose me partnerë; ka siguruar pjesëmarrje në projekte kërkimore dypalëshe; janë kryer trajnime, kualifikime, eksperimentime në kuadër disertacionesh për doktoratë, pjesëmarrje në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit si dhe janë botuar libra, tekste mësimore, artikuj shkencorë, postera, etj.

D.I.T.D ka hedhur hapat e duhur në drejtim të përforcimit të lidhjeve institucionale universitet–industri. Konkretisht, me aktorët më të rëndësishëm industrialë navalë si: Kantieret Detare Durrës, Pashaliman dhe minikantiere privatë, jo vetëm që janë hartuar projekte të përbashkëta, workshop apo simpoziume, por është zhvilluar pozitivisht një numër i konsiderueshëm etapash të procesit mësimor, siç janë: praktikat profesionale dhe temat e diplomave të studentëve.

Gjatë viteve të fundit është rritur interesi i studentëve për të zhvilluar një pjesë të formimit të tyre universitar jashtë vendit. Një konkretizim interesant i këtij fenomeni është edhe zhvillimi i praktikës profesionale të kursit IV dhe V Inxhinieri Navale (2005) në Universitetin e Triestes, Departamenti Inxhinieri Navale, dhe Kantierin Detar të Monfalcones, më i madhi në Itali. Një numër i caktuar studentësh janë angazhuar në përgatitjen e simpoziumeve shkencore të organizuara nga D.I.T.D dhe në shkollat verore në Universitetin e Prishtinës.

Është në radhë të parë D.I.T.D. që ndjek nga afër mbarëvajtjen e bashkëpunimit institucional dhe nxitjen e pjesëmarrjes studentore, në mënyrë që të garantohet efikasiteti i tyre.