Bazuar në politikën mbështetëse për inovacionet ose shpikjet në UV, në strukturën e re organizative të UV është miratuar krijimi i Qendrave Kërkimore Shkencore që do të operojnë në secilin Fakultet.
Qendra Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shkencave Teknike nuk është krijuar rishtas por është vazhdimësi e Qendrës së Kërkimit Shkencor – Studime Mjedisore të Universitetit të Vlorës e cila është hapur për herë të parë më 24.11.2008.
Në përgjithësi studimet e realizuara nga qendra kanë qenë me karakter mjedisor, monitorime të mjedisit në lidhje me gazet ndotës të atmosferës, hidrokarburet aromatike dhe poliaromatike, pesticide e ngarkesë bakteriologjike, parametra fiziko/kimikë, gjeomjedis e gjeoturizëm, biologji detare etj.
Qendra Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shkencave Teknike përbëhet nga:
- Përgjegjësi i Qendrës Kërkimore Shkencore
- Dy Specialistë (personel akademik)
- Një Personel Ndihmës Akademik në funksion të Laborantit.
Me riorganizimin e Qendrës Kërkimore Shkencore është menduar që të ofrohen disa fusha studimi në mënyrë që të rritet impakti i kërkimit shkencor si:
- Studimet Mjedisore
- Metodat Fizike dhe Instrumentale të Analizës
- Materiale dhe metodat Inxhinerike. Transporti dhe teknologjia detare
- Zhvillim sistemesh në kohe reale, analizë statistikore të dhënash dhe modelim njohurish
Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të Qendrës Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shkencave Teknike janë:
- Krijimi i një infrastrukture bashkëkohore nëpërmjet vendosjes në funksion të plotë dhe përforcimit të laboratorëve të Qendra Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shkencave Teknike që do të ndihmojnë në zhvillimin e kërkimit shkencor të stafit akademik të Fakultetit Shkencave Teknike.
- Mbështetjen e realizimit të programeve të studimeve “Master i Shkencave” dhe “Doktoratë” të ofruara nga departamentet e fakultetit si dhe për kryerjen e shërbimeve në ndihmë të të tretëve.
- Sa i përket ambjenteve të Qendrës Kërkimore Shkencore të Fakultetit të Shkencave Teknike, deri tani kanë qenë në dispozicion të saj dy laboratore në Godinën C të Fakultetit të Shkencave Teknike të cilat janë të pajisura me pajisje e mjete ne ndihmë të kërkimit Shkencor.
- Shumë shpejt do të mundësohet edhe ngritja e një laboratori të tretë dhe riorganizim i ambienteve të Qendrës dhe pajisja e tyre me pajisje laboratorike bashkekohore (proces ky që ka nisur e do të vazhdojë).
Ndër pajisjet që disponon Qendra Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shkencave Teknike përmendim:
- Spektrometer i Absorbimit Atomik, sistem atomizimi me flakë
- Gazkromatograf
- Spektrofotometër UV-VIS
- Pajisje Disgregimi Mikrovalë
- Mikroskop të thjeshtë e dixhital stereo
- Dedektor universal ultrasonik
- Testues për fortësinë
- Pajisje Analitike (X-ray fluoreshencë) për struktura kristalore
- pH-meter
- Konduktmeter
- Pajisje të thjeshta analitike etj.
Nëpërmjet këtyre pajisjeve laboratorike është i mundur përcaktimi i parametrave të ndryshëm të cilësisë së mjedisit si: ndotësit organikë e inorganik ( metale të rënda në mostra të llojeve të ndryshme, gazet ndotës të atmosferës, hidrokarburet aromatike dhe poliaromatike, ndotësit klororganikë, nutrientët, lëndët e ngurta të tretura e në suspension, parametra fiziko-kimikë etj.) duke mundësuar në këtë mënyrë realizimin e studimeve të ndryshme mjedisore dhe jo vetëm.
- Rritja e rendimentit të aplikimeve për projekte të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare do të arrihet dhe nën ndihmesën edhe të Sektorit të Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.
- Mundësimi për aplikim për marrje fondesh nga Agjensia Kombëtare për Kërkim Zhvillim e Inovacion në lidhje me ngritjen e metodikave analitike në Qendrën Kërkimore Shkencore të Fakultetit të Shkencave Teknike.
- Krijimi i lidhjeve të qëndrueshme me partnerë ndërkombëtarë. Në kuadër të ngritjes dhe zbatimit të metodikave analitike në qendër do të kërkohet mundësimi i bashkëpunimit (marrje e përvojës) me universitete të shteteve fqinjë si Universiteti i Janinës, Barit, Leces e Tetovës etj.
- Kërkimi shkencor do të vihet në shërbim të rajonit dhe më gjerë duke realizuar projekte kërkimore të përbashkëta me njësitë vendore, universitete brenda dhe jashtë vendit .
- Kryerja dhe ofrimi i shërbimeve (kryerja e analizave) për palë të interesuara mënyrë kjo për të rritur të ardhurat e Qendrës dhe të UV dhe më tej fuqizimin e saj.
- Organizimi në mënyrë periodike (çdo dy-tre vjet) dhe pjesëmarrja në Evente të ndryshme shkencore si: Konferenca Shkencore, WorkShop, Seminare në të cilat Qendra Kërkimore Shkencore do të bëjë publike rezultatet e kërkimit shkencor të realizuar nga stafi akademik apo edhe studentë.
- Pasurimi i literaturës dhe krijimi i një data base për Qendrën Kërkimore Shkencore të Fakultetit të Shkencave Teknike në ndihmë të realizimit të kërkimit shkencor prej studentëve e stafit akademik.
- Botimi i rezultateve të kërkimit shkencor të realizuar nga stafi akademik apo edhe studentë në Buletinin Shkencor të UV si dhe në revista Shkencore Kombëtare e Ndërkombëtare.