Përshëndetja e Rektorit të UV, Prof. Roland Zisi, për festat e fundvitit

njoftime

Të dashur sudentë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë,

Të dashur familjarë të studentëve,

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar autoritete drejtuese, pedagogë dhe personel mbështetës ndihmësakademik dhe administrativ të UV

Të nderuar bashkëpunëtorë të Universitetit “Ismail Qemali”  Vlorë,

Në prag të përfundimit të vitit 2020-të, vit për të cilin të gjithë jemi të vetëdijshëm se ishte plot sfida sepse prej disa muajve po bashkëjetojmë në kushtet e një situate të pazakontë, kushtëzuar nga pandemia botërore Covid-19, ndjej detyrimin dhe kënaqësinë e veçantë, t’ju përcjell Urimet më të mira  për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2021.

Me kujdesin, qetësinë, përkushtimin e duhur, dhe solidarizimin për të mbrojtur njëri-tjetrin, të gjithë bashkë do t’ia dalim edhe kësaj sfide të përbashkët. Qoftë vit sa më i mbarë, me shëndet të mirë e me realizim të aspiratave tuaja njerëzore dhe profesionale.

Gëzuar Vitin e Ri 2021!

Në të tilla kushte, fillimisht uroj shëndet të mirë për të gjithë ju, familjet dhe të dashurit tuaj, pasi çdo ditë e më shumë, në këtë situatë dinamike po kuptojmë vlerën e shëndetit dhe të vet jetës. Ju falënderoj për besimin, mbështetjen, dhe për angazhimin tuaj serioz në përmbushjen e objektivave të Universitetit “ Ismail Qemali” Vlorë.

Jo shumë larg nga përfundimi i vitit 2020-të, ne ndamë me të gjithë Ju lajmin e mirë të Akreditimit të dytë Institucional Pozitiv 5 vjeçar, deri në vitin 2025, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, sukses ky që, padiskutim na motivon dhe njëherazi na vendos të gjithëve përpara përgjegjësisë për të vazhduar e zhvilluar më tej me përkushtim dhe seriozitet punën e bërë deri tani, për të konsoliduar më shumë jetën akademike e sociale të UV, në përputhje me standardet e kërkuara.

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë Ju, me bindjen time të plotë se të gjithë së bashku edhe në vitin e ardhshëm do të punojmë për të arritur objektiva të reja që lidhen me standartet akademike sa më të larta dhe cilësore. Jam i sigurt se puna jonë e përbashkët do të sjellë të tjera suksese në vitin 2021.

Të dashur studentë, 

Edhe pse e nisëm këtë vit akademik ndryshe nga çdo vit tjetër, dëshiroj që bashkë me urimin kryesor për shëndet të mirë  për ju dhe familjarët tuaja, t’ju uroj  suksese për vitin 2021.

Ju falenderoj juve dhe familjet tuaja për besimin që na dhatë duke zgjedhur Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë në sfidën Tuaj akademike dhe edukative. Në emër të kolegëve të mi, autoritete drejtuese dhe personel i UV, Ju garantoj se, pavarësisht vështirësive dhe situatës së pazakontë në të cilën e nisëm dhe po e zhvillojmë vitin akademik, do të jemi të gjithë bashkë, të vendosur për arritjen e objektivave të dëshiruara nga gjithsecili prej nesh për realizimin e objektivave tona të përbashkëta.

Komunikimi njerëzor do të vijojë  nga secili prej nesh në ndërveprimin në distancë, pasi vetëm duke qenë pranë njëri-tjetrit, edhe pse jo fizikisht, do të mund t’a përballojmë me sukses këtë situatë të pazakontë. Ne nuk harrojmë asnjëherë se UV përfaqëson familjen tonë të madhe e cila funksionon përmes standarteve njerëzore, qytetare dhe akademike.

Të nderuar miq!

Me shpresën që kjo situatë e pazakontë pandemie  të përfundojë sa më shpejt e që auditoreve tona t’iu kthehet normaliteti, freskia dhe bukuria e studentëve, Ju uroj të gjithëve:

Krishtlindje të Gëzuara, Mbarësi, shëndet dhe prosperitet në vitin 2021!

Miqësisht dhe përzemërsisht,

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë,

Prof. Dr. Roland ZISI

 

Vlorë, 25 dhjetor 2020.