Historiku i Bibliotekës

Sektori i Shërbimeve të Librit (shtypshkronjë dhe e/book) është i ri, veçse strukturuar nga bazën e dy bibliotekave ekzistuese. Ky sektor u krijua në janar të vitit 2017 dhe, sipas organigramës së vitit 2017, fillimisht kishte vartësi hierakike të linjës nga Dega Mësimore e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë”, ndërsa aktualisht ka vartësi nga Rektorati. Në përbërje të Sektorit të Shërbimeve të Librit janë dy bibliotekat: një qendrore në godinën A, Biblioteka e Rektoratit dhe një lokale në godinën B. Dy bibliotekat e Universitetit (UV), sipas strukturës së re, miratuar me Vendimin Nr. 10, datë 27. 01. 2017 të Senatit Akademik të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë “Për miratimin e strukturës  organizative dhe organigramës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë” janë në përbërje të Sektorit të  Shërbimeve të Librit (shtypshkonjë dhe e/book), i cili është një sektor i ri që funksionon si njësi ndihmësakademike me karakter administrativ në këtë institucion.

Biblioteka e Universitetit (BUV) është relativisht e re, moshatare me universitetin, themeluar në 10 tetor 1994, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.105, dt. 28. 02. 1944, i cili qysh me çeljen e tij u klasifikua si një universitet publik me emërtimin “Universiteti Teknologjik i Vlorës”, mbajtur deri në vitin 2007, vit kur u riemërtua zyrtarisht “Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë” (UV), emërtim që vijon ta mbajë.  Me hapjen e UV, filluan përpjekjet për krijimin e bibliotekës dhe në mes të nëntorit 1994 prezantohet me profilin e vet edhe BUV para 203 përdoruesve (162 studentë, 10 pedagogë të brendshëm dhe 31 të jashtëm). BUV, më 28 Nëntor 2005 mori emrin “Nermin Vlora Falaschi”, në nderim të humanistes dhe shkrimtares së diasporës, mbesës e themeluesit të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemal Vlora, e cila ka dhënë ndihmesë të dukshme për këtë Institucion të Arsimit të Lartë (IAL) në  Vlorë. BUV është e vendosur në një pjesë të pasurive të paluajtshme të UV, tek Godina A, Rektorati, Kati II, mbi Auditoriumin “Rilindja”. Kjo është Biblioteka Qendrore, Nr. 1 dhe zë një sipërfaqe prej 250 m², me një kapacitet prej 70 vendesh. Në godinën B ndodhet Biblioteka Nr. 2, më e vogël, me një sipërfaqe prej 60 m² dhe kapacitet 30 vende. Ka sipërfaqe të mjaftueshme studimi dhe mjedise për përdorimin e mjeteve të reja elektronike informative.

E themeluar në vitin 1994, BUV është institucioni kryesor arkivor i librit për UV dhe i vetmi bibliografik në këtë IAL. Ndër shërbimet e ofruara të Bibilotekës, Huazimi i librave/ tekseve është puna e përditshme e stafit të BUV. Politikat e BUV, si institucion kulturor që siguron informacion shërbim të kulturuar për studentët dhe pedagogët, kanë të bëjnë me tërësinë e detyrave që rrjedhin nga urdhërat, vendimet sipas vartësisë vertikale të linjës, mbi bazën e dy dokumenteve kryesore të UV, Statutit dhe Rregullores, të cilat janë ndryshuar dhe përmirësuar vazhdimisht, por janë në përputhje të plotë me Ligjin nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”. Në rrafshin profesional, politikat e BUV orientohen nga manuale të përgatitura nga IFLA (International Federation of Library Associations), manifesti i IFLA/ UNESCO-s të vitit 1999, ku, sipas tij, edhe BUV mund e duhet të klasifikohet në cilësimin si institucione që sigurojnë informacion dhe ide të nevojshme për zhvillimin me sukses të shoqërisë së sotme të informacionit. BUV i edukon studentët me aftësi të të mësuarit gjatë gjithë jetës, zhvillon imagjinatën e tyre dhe ndihmon që ata të edukohen dhe të jetojnë si qytetarë të ndërgjegjshëm.  Në kuadër të politikave të zhvillimit dhe mirëfunksionimit të Sektorit të Librit në shërbim të studentëve dhe pedagogëve, një bazë e strategjisë së UV është Biblioteka Online. Në buxhetin e vitit 2017 është parashikuar Biblioteka digjitale, prurje që ka të bëjë me vizionin e Universitetit (ka një draft strategjie Smart University), dobia e të cilit është ulja e kostos në shërbim ndaj përdoruesve (studentëve e pedagogëve), fitimi i kohës, ulja e burokracisë, sepse shërbimi elektronik dhe biblioteka online i ofron këto mundësi që studenti të sigurojë informacionin e duhur në kohë optimale.