Rektori i Universitetit” Ismail Qemali” Vlorë, mirëpriti në zyrën e tij, përfaqësues të Universitetit “Kadri Zeka”, të Gjilanit, Prorektorin Xhevdet Thaci dhe Dekanin e Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit, Artan Dermaku.
Takimi u fokusua në krijimin e urave të bashkëpunimit mes dy institucioneve të arsimit të lartë.
Rektori, Prof. Dr. Roland Zisi, shprehu kënaqësinë për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet strukturave akademike me Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, duke theksuar rëndësinë e organizimit të seminareve, simpoziumeve dhe konferencave ndërkombëtare në kuadër të thellimit të bashkëpunimit aktiv midis dy universiteteve me qëllim ndërkombëtarizimin e programeve akademike.
Zisi theksoi se nxitja e mobilitetit të
stafit akademik dhe studentëve do të ndikonte në përcjelljen e përvojave të mira të institucioneve të arsimit të lartë të dy universiteteve, Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Kadri Zeka”. Në këtë drejtim, krijimi i skemave të mbështetura financiarisht që mundësojnë mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve dhe programe të përbashkëta të studimit në arsimin e lartë përbëjnë një mundësi të mirë për bashkëpunimin mes dy universiteteve.
Në fokus të takimit ishte dhe mundësia për bashkëpunim përmes projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional përmes shfrytëzimit të infrastrukturës kërkimore shkencore.
Prorektori i universitetit “Kadri Zeka, Xhevdet Thaci shprehu gadishmërinë për krijimin e programeve specifike që mbështesin mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve për shkëmbimin e eksperiencave akademike midis Universitetit ” Ismail Qemali” Vlorë dhe Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit.
Pjesë e axhendës së përfaqësuesve të universitetit të Gjilanit ishte dhe vizita në Fakultetin e Shkencave Teknike dhe Natyrore, ku u pritën nga dekani i fakultetit, Hajdar Kiçaj.
Studentë të universitetit “Kadri Zeka” prezantuan para studentëve të UV-së mekanizmat e “Klubit të studentëve të informatikës”, një nismë e krijuar prej tyre, duke ftuar studentët e UV-së për binjakëzim dhe shkëmbim eksperience në këtë sektor.