U zhvillua konferenca e pestë ndërkombëtare e organizuar nga Departamenti i Gjuhëve të Huaja

conference njoftime

Në datat 18-19 dhjetor 2020 zhvilloi punimet konferenca e pestë ndërkombëtare e organizuar nga Departamenti i Gjuhëve të Huaja,  me dy rrjedha tematike: “Teaching the humanities in the post-COVID era” dhe “Studying the humanities in the post-COVID era”.

Konferenca u mbajt në mënyrë të kombinuar, online dhe në auditor, me prezencë tejet të kufizuar të kumtuesve në sesione paralele. Në fjalën përshëndetëse, prof. Zisi, Rektor i UV-së, e vlerësoi tematikën e konferencës mjaft aktuale, për më tepër në kontekstin e sfidave me të cilat po përballet shoqëria në përgjithësi dhe sistemi arsimor në veçanti, diktuar nga pandemia. Prof. As. Armela Panajoti, dekane e FShH-së, e konsideroi rolin e shkencave humane të rëndësishëm në riorientimin e shoqërisë, në riorganizimin e modeleve dhe aktiviteteve shoqërore, për atë që në thirrjen e konferencës u quajt epokë paskovidiane. Prof. As. Veneranda Hajrulla u shpreh e kënaqur për larminë e punimeve në këtë konferencë dhe prezencën e folësve vendas dhe të huaj.

Në ditën e parë u realizua një seancë plenare, ku folëse kryesore ishte Prof. As. Slavka Tomascikova nga Universiteti Pavol Jozef Safarik në Koshice, Sllovaki. Më pas vijuan punimet në sesione paralele. Për realizimin online të konferencës u përdor aplikacioni Google Meet.

Në ditën e dytë, konferenca mori trajtën e një konference studentore me punime të prezantuara online prej tyre dhe të moderuara në mjediset e Laboratorit të Gjuhëve të Huaja nga studentja Jenila Zenelaj. Si pjesë përmbyllëse e aktiviteteve në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të kësaj njësie, në një sesion të posaçëm jubilar, u kujtuan aspekte të punës në departament, u mundësua lidhja online me ish anëtarë të stafit që kanë kontribuar ndër vite dhe në një bisedë të lirë të titulluar “In Memorium” u kujtua kontributi i çmuar i Prof. Abdyl Vasjarit. Më shumë informacion rreth aktivitetit gjeni në lidhjen https://sites.google.com/a/univlora.edu.al/teaching-the-humanities-in-the-post-covid-era/.