njoftime

[:sq]Fillon në UV trainimi i personelit mjekësor dhe infermieror për përballimin e COVID-19[:]

[:sq]Spitali Rajonal Vlorë dhe Fakulteti i Shëndetit Publik, i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, kanë filluar ditën e sotme, datë 18. 03. 2020, Trainimin e personelit mjekësor dhe infermieror të rajonit që do t’u bashkohen ekipeve mjekësore në terren, në shërbim të popullatës dhe përballimit të situatës së COVID-19.

Mjekë ekspertë të Spitalit Rajonal dhe pedagogë të FSHP, të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, në përgjigje të Thirrjes dhe Urdhërit të përbashkët të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata, mbi bazën e një plani të përbashkët mes dy institucioneve, kryesisht të SRV, po kryejnë seanca trainimi të rreth 350 mjekëve, infermierëve, studentëve të mjekësisë dhe infermierisë të cilët do t’u bashkohen më pas, ekipeve të specializuara, në funksion të nevojave të popullsisë për përballimin e situatës së COVID-19.

Trainimi, i cili do të shtrihet në rreth dy javë, po zhvillohet në seanca mësimore praktike mbi bazën e një Plani të hartuar nga Spitali rajonal Vlorë dhe FSHP, në të cilin janë përcaktuar në mënyrë rigoroze: masat e sigurisë anti COVID-19 për lektorët dhe personelin që trainohet, oraret për çdo grup, lektorët, baza materiale pedagogjike e shëndetësore, mjediset etj. Dezinfektimi i parë i ambjenteve të mësimit u  nga sektori përkatës i Bashkisë Vlorë dhe dezinfektimet e tjera në vijim do të kryhen nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

Pas përfundimit të trajnimit të personelit spitalor do të vazhdohet me trajnimin e vullnetarëve të ofruar në sistemin shëndetësor, nëse situata epidemiologjike do të ketë domosdoshmëri edhe kontributin e tyre. Gjithashtu, stafi akademik i FSHP këtë paketë trajnuese për COVID 19 do ta bëj pjesë të kurikulës akademike për infermierët e rinj që studiojnë në programet tona, për të qenë të pregatitur edhe për situata të reja të ngjashme epidemiologjike.

Në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Spitalit Rajonal Vlorë, stafi ynë akademik do të pregatis në një kohë shumë të shkurtër protokollet shqip (guideline) të mbrojtjes dhe trajtimit të COVID 19 (sipas guideline-ve të OBSH dhe manualeve të shteteve që e kanë menaxhuar tashmë epideminë).

Vlen të evidentohet fakti se grupit të lektorëve, me dëshirën dhe vullnetin e tyre për të kontribuuar në këto momente tepër të vështira, i janë bashkuar edhe studentët e FSHP në UV, Mateo Alushi, Aurela Elmazaj dhe Salihe Elmazaj për procedurat demostruese dhe asistencën në organizimit të kursit.

 

Akti i tyre fisnik, si dhe i dhjetra studentëve të tjerë të UV që janë rregjistruar në mënyrë individuale në https://mjeke.shendetesia.gov.al/ dhe http://infermierepershqiperine.al/, meriton respekt e mirënjohje nga të gjithë. Në këtë mënyrë, UV dëshmon me fakte konkrete se është një IAL që nuk përgatit vetëm profesionistë dhe ekspertë, por dhe qytetarë të denjë dhe të aftë për të përballuar situata sociale të vështira si kjo e COVID-19. Ndërkohë, mirënjohje dhe respekt ynë shkon edhe për grupin e lektorëve të Spitalit Rajonal, Vlorë: Dr. Arjan Thomai, Dr. Arieta, Dr. Klotilda Resuli, lektorëve të Fakultetit të Shendetit Publik të UV, pedagogëve: Emirjona Kiçaj, Rudina Çerçizi, Stiliana Brokaj, Jorgjie Bucaj, Petraq Mustaqe, Juliana Xhindoli dhe Vasilika Prifti, si dhe Nëndrejtorit të SRV Dr, Skënder Alushi (koordinatorit të Spitalit Rajonal Vlorë) dhe Dekanes së FSHP, Prof. Aurela Saliaj (koordinatores së Universitetit të Vlorës), të cilët organizojnë dhe koordinojnë në praktikë zhvillimin e leksioneve.

 

I gjithë ky aksion drejtohet dhe monitorohet nga Drejtoresha e SRV, Dr. Brunilda Mersini dhe Rektori i UV prof. Roland Zisi, të cilët koordinojnë dhe raportojnë veprimet sipas sugjerimeve të Koordinatorit përgjegjës për Organizimin, Trainimin dhe Administrimin e Burimeve Njerëzore Ekzistuese dhe vullnetare, prof. Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

 

 [:]