CS 302 – KRIPTOGRAFI


KURSI:                                Bachelor Informatikë, Shkenca Kompjutacionale, Teknologji Informacioni
NGARKESA: Semestri zgjat 15 javë
  Leksione 3 orë/jave
  Seminare 2 orë/jave
  Detyra Kursi 1 ne semester
  Pune Laboratori

 

PËRSHKRIMI I LËNDËS

Subjekti i Kriptografisë është shifrimi i një informacioni të koduar, në mënyrë të tillë që ky informacion të jetë i pakuptueshëm për ndërhyrës të jashtëm. Ky kurs fillon me origjinën e Kriptografisë si një shkencë shumë e vjetër, evolimin, implementimin dhe përdorimin e saj në kompjuterat dixhital. Paralelisht me zhvillimin e Kriptografisë është Kriptoanaliza, e cila studion algoritmat për deshifrimin e informacionit të shifruar, pra ekziston një lidhje  e ngushtë midis Kriptografisë dhe Kriptoanalizës, të cilat trajtohen në këtë kurs.

Kriptografia është një shkencë e bazuar në disiplina Matematikore, të tilla janë Algjebra, Teoria e Numrave, Teoria e Informacionit, Kombinatorika, Teoria e Kompleksitetit dhe Teoria e Kodimin, të domosdoshme për zhvillimin e   Kriptografisë. Për këtë arsye ky kurs trajton vetëm minimumin e këtyre disiplinave, në ato raste ku është e nevojshme përdorimi i tyre.

Materiali i lëndës ndahet në 8 kapituj. Në kapitullin e parë trajtohet një Hyrje në Teorinë e Kodimit, kodet blok, instant, Huffman, gabimndreqëse dhe kodet lineare binare. Në kapitullin e dytë trajtohen konceptet bazë të Kriptografisë, historiku, problematikat, procedurat, algoritmat dhe zbatimet e saj. Kapitulli i tretë trajton Kriptosistemet me çelësa privat, algoritmat kryesor. Në kapitullin e katërt trajtohen thyerja e një kriptosistemi, problemi i shkëmbimit të çelësave, sulmet statistikore ndaj tij. Në kapitullin e pestë trajtohen kriptosistemet me çelësa publik, koncepte bazë, funksionet me një kalim, Hash funksionet, integriteti i të dhënave dhe autenticiteti i dërguesit. Në kapitullin e gjashtë analizohen fjalëkalimet, autentifikimi me përdorimin e kartave, MAC dhe Smart Cards. Kapitulli i shtatë trajton kriptosistemet RSA, ElGamal, Massey-Omura, kriptosisteme të tipit të çantës së shpinës. Në kapitullin e tetë paraqiten skemat e nënshkrimit të mesazhit, programet dëmtuese dhe protokollet kriptografike.