Rektori

Përshëndetje e Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Prof. Roland Zisi me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2016-2017

Të nderuar studentë dhe pedagogë!
Të nderuar familjarë të studentëve!
Të nderuar qytetarë vlonjat dhe rajonit!

Në datë 20 tetor 2016 fillon viti i ri akademik për Universitetin tonë, si në gjithë universitetet e vendit.
Duke shfrytëzuar këtë rast, kam kënaqësinë dhe privilegjin që në emrin tim personal, të Senatit akademik dhe Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, t”ju përshëndes dhe t’ju dërgoj urimet më të ngrohta për një vit shkollor të mbarë dhe të frytshëm.

Viti akademik 2016-2017 është për të gjithë ne një periudhë sfidash dhe detyrash të rëndësishme por kemi sëbashku garancinë dhe sigurinë se secili nga ne do të përmbushë detyrimet e veta në funksion të kryerjes së një vargu reformash të rëndësishme.

Përkushtimi, fryma pozitive, kolegjialiteti dhe cilësia e vendimarrjeve tona do të synojnë të krijojnë një klimë në të cilën pedagogët dhe drejtuesit e UV të vihen në shërbim të studentëve, edukimit dhe arsimimit të tyre.

Një përshëndetje dhe urim të veçantë shkon me këtë rast për studentët e vitit të parë. I falenderojmë ata dhe familjet e tyre duke i siguruar se kanë bërë zgjedhjen më të mire që kanë preferuar të studiojnë në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, në auditoret e të cilit do të gjejnë atë që ata kanë ëndërruar dhe parashikuar. Mbështetja jonë për realizimin e ëndërrave të tyre do të jetë e përditshme dhe cilësore.

Drejtuesit dhe pedagogët e universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë janë të angazhuar dhe të përkushtuar për realizimin e projekteve me rëndësi jetike për këtë institucion, siç janë:

• respektimi dhe konsolidimi i vlerave të arritura ndër vite,
• krijimi i kushteve optimale hapësinore për të gjitha njësitë akademike,
• rritja e cilësisë dhe standardit universitar,
• përballimi me sukses i procesit të akreditimit
• ndërtimi i një koncepti modern marketingu në funksion të qëllimeve strategjike dhe operacionale,
• pajisja e të gjitha njësive akademike me teknologji dhe laboratorë profesionalë,
• çelja e disa qendrave kërkimore-shkencore,
• ristrukturimi i institucionit konform kërkesave ligjore bashkëkohore, etj.

Suksese dhe mbarësi në këtë vit të ri akademik, të nderuar studentë dhe pedagogë,!

CV e Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë