FSHH – Departamenti i Drejtësisë

Ky departament ofron mundësi për të nxjerrë një produkt pozitiv nga bankat e tij që përmblidhet në një koncept: qasja analitike. Në thelb qasja analitike nënkupton aftësim të studentëve për të analizuar fenomene, ngjarje, koncepte, ligje apo politika të caktuara. Në këtë mënyrë niveli universitar i studimeve arrin të parapërgatisë studentët për t’u përshtatur mirë dhe shpejt në pozicione bazë në tregun e punës.

Njëkohësisht ai krijon premisa të mira për vazhdimin e studimeve master, përmes njohurive lehtësisht në disiplina të përafërta. Departamenti i Drejtësisë krahas diplomës së integruar ofron edhe tre diploma të ciklit të dytë të studimeve, dy Mastera Profesional dhe një Master Shkencor.

Studentët që kanë kryer studimet e integruara në drejtësi me një kohëzgjatje prej pesë vitesh mund të konkurrojnë për t’u përgatitur si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë, avokatë të shtetit, përmbarues privatë ose shtetërorë, si dhe juristë në administratën shtetërore, qendrore dhe vendore, apo në sipërmarrje private. Misioni i këtij departamenti është që juristët e ardhshëm që formohen në Departamentin e Drejtësisë, të jenë të aftë të marrin pozita dhe të zënë vende pune në organet e drejtësisë, organet gjyqësore, administratën shtetërore, institucionet dhe organet e ndryshme të pushtetit shtetëror dhe në sektorin privat. Studimet në Drejtësi iu ofrojnë studentëve të diplomuar mundësi punësimi në shumë institucione shtetërore dhe private. Një student i diplomuar në Drejtësi mund të punojë si:

-jurist në administratën shtetërore (në pushtetin qëndror si: Kryeministri, Ministri, Presidencë, Kuvend, etj., në pushtetin vendor si: Bashki, Prefekturë, Hipotekë, Qark, Sigurime Shoqërore, Drejtori Arsimore, etj);

-jurist në sektorin privat (Sipërmarrje, kompani apo biznese private në sektorë të ndryshëm);

-Avokatë;

-Prokurorë;

-Gjyqtarë;

-pedagogë në Departamentet e Drejtësisë; etj.

 

Shumë prej studentëve tanë janë raste suksesi të punësuar në nivelet më të larta drejtësuese në institucione të ndryshme në Vlorë dhe në rrethe, një pjesë e konsiderueshme e stafit administrativ të UV kanë diplomën e Departamentit të Drejtësisë dhe si pedagogë ku 7 prej pedagogëve aktualë kanë qenë studentë të këtij Departamenti

 

Ky departament synon:

  1. Dijen, shkencën dhe arsimimin e brezave të rinj;
  2. Aftësimin e studentit të gjykojë në mënyrë kritike dhe analitike;
  3. Aftësimin e studentit për të analizuar fenomene, ngjarje, koncepte, ligje apo politika të caktuara.

Programet e Departamentit të Drejtësisë janë të hartuara në mënyrë të tillë, që t’i vijnë në ndihmë reformimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe organeve të administratës publike në mënyrë të veçantë. Stafi akademik i këtij departamenti të kualifikuar dhe me përvojë ka si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në veçanti përsosjen e nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.Të gjithë pedagogët pranë këtij departamenti janë Doktorë Shkencash dhe katër prej tyre kanë Ph.D në Universitete Perëndimore.

 

Departamenti i Drejtësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me disa Universitete të huaja duke përfshirë Universitetin e Salernos dhe Universitetin “Luigi Vanvitelli”, Campania, Itali. Departamenti është partner me Programit Erasmus Plus të Bashkimit Evropian, duke mirëpritur çdo vit studentë të huaj dhe disa nga studentët tanë po kryejnë një periudhë mobiliteti 6 mujore (një semestër) në një Universitet Evropian. Të gjitha shpenzimet për këto shkëmbime mbulohen me fondet e Bashkimit Evropian.

 

Ky Departament është ndër të vetmit që ofon Kliniken e Ligjit i përzgjedhur së bashku me Departamentin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës nga Qëndra  Evropiane dhe Ambasada Amerikane që financojnë këtë projekt.

 

Departamenti i Drejtësisë për katër vite rrjesht ka marrë pjesë në Gjyqin Simulues Moot Court të organizuarnga Qendra Evropiane dhe Civil Rights Defenders Albania. Një konkurs i zhvilluar në rang kombëtar, ku marrin pjesë 12 grupe nga Departamentet e Drejtësisë në Universitetet shtetërore dhe private të Republikës së Shqipërisë. Konkurs zhvillohet në tre faza, në të cilën Departamenti i Drejtësisë ka qenë gjithmonë kandidat për fazën finale. Në finalen e sivjetshme “Moot Court Albania 2017”, u përballën skuadra “Virtus” e Universtitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe “Ad victoriam” e Universitetit shtetëror të Tiranës. Skuadra “Virtus”e Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës doli skuadra fituese duke fituar të drejtën për të përfaqësuar Shqiperinë në konkursin rajonal të vendeve të Ballkanit Perendimor që do të mbahet në Maqedoni këtë pranverë.

 

Nxënësit maturantë për t’u pranuar në Departamentin e Drejtësisë në Universitetin e Vlorës përzgjidhen në bazë të mesatares së të gjithë viteve të shkollës së mesme, përfshirë notat e provimeve të maturës shtetërore.