30
MAR
2017

Kongresi i Tretë i Autoriteteve Lokale Vendore Europiane në Poloni

Në datat 27, 28 Mars 2017, në Krakov, Poloni u mbajt Kongresi i Tretë i Autoriteteve Lokale Vendore Europiane. Në këtë Kongres ishin të ftuar për të marrë pjesë si referues në panel Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Prof. Dr. Roland Zisi dhe Drejtoresha e Projekteve, Marredhënieve me Jashtë dhe Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë Znj. Mirela KOÇI. Ky event u organizua në dy ditë në dy seanca plenare, 83 sesione me tematika të fokusuara në turizëm dhe sipërmarje turistike, mjedis, inovacion, ekonomi dhe finance, energji të rinovueshme, ekonomi me karbon të ulët, pushteti vendor dhe roli i tij në zhvillimin lokal. Kongresi u ndoq live nga 19993 pjesëmarrës politikanë në nivelet më të larta, përfaqësues të pushtetit vendor, rektorë universitetesh europiane, përfaqësues të biznesit, agjensive të zhvillimit ekonomik lokal organizatave të biznesit dhe institucioneve të kërkimit shkencor. Kongresi pati 683 të ftuar nga 41 shtete evropiane dhe jo evropiane.

Rektori i Universitetit “ Ismail Qemali”, Prof. Dr. Roland Zisi referoi në panelin “Si të zhvillohet infrastruktura ndërkufitare, roli i universiteteve në bashkepunimin ndërkufitar. Në referimin e tij Rektori u përqëndrua tek Programet Ndërkufitare të Bashkepunimit (IPA) të financuara nga KE si dhe rolin që luan Universiteti “Ismail Qemali” në zhvillimin e qëndrueshëm për mes nxitjes së kërkimit shkencor dhe inovacionit. Rektori prezantoi modele të sukseshme të bashkëpunimit ndërkufitar ku Universiteti i Vlorës është bërë promotor si: krijimi i Qendrës Rajonale për Studimet Detare, Sistemin Satelitor të Monitorimit të Mjedisit, si dhe pjesëmarrjen në rrjetet ndërkombëtare të universiteteve.

Drejtoresha e Projekteve, Marrëdhenieve me Jashtë dhe Sigurimit të Cilësisë referoi në panelin “Biznesi në fushën e turizmit, një mundësi zhvillimi për qytetet dhe rajonet, roli i pushtetit vendor dhe agjensive të zhvillimit në zhvillimin e qëndrueshëm”. Në referimin e saj ajo iu referua partneritetit publik privat, sistemeve me katër helika bashkëpunimi (quadriple helix system” ku pushteti vendor luan rol koordinues dhe krijon kushte për investim, universitetet nxisin kërkimin dhe inovacionin në ndihmë të biznesit, shoqëria civile identifikon nevojat e komunitetit dhe turistëve, biznesi në bashkëpunim me akorët e mësipërm i përkthen në investime dhe gjenerim të vendeve të punës.

 

Disa foto ilustruese.